Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita e akuzon Komunën për shërbime primitive të gjendjes civile

Zyrtarët komunalë të Obiliqit janë akuzuar nga opozita në këtë komunë se nuk po e funksionalizojnë aparatin e e-kioskut, që gjendet në oborrin e objektit të administratës që prej vitit 2016.

Koordinatori i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, Sami Ahmeti, ka thënë se për shkak të kësaj është duke u ngarkuar Shërbimi i gjendjes civile në këtë komunë, ku dokumentet do të mundë të merreshin në e-kiosk më shpejt dhe pa pengesa burokratike, shkruan sot Koha Ditore. Sipas tij, shërbimet në sportele janë shumë primitive.

Por këto i kanë mohuar zyrtarët komunalë të Obiliqit. Drejtoresha për Mbrojtje të Mjedisit, Fitore Hashani, ka dërguar edhe një video duke e demonstruar nxjerrjen e një dokumenti në këtë e-kiosk. Sipas saj, ky aparat mund të jetë jashtë funksioni vetëm kur ndalet rryma.

Ndërsa, sa u përket fletëpagesave, ajo ka thënë se secili ofiqar i lëshon dëshmitë e pagesave nga qytetarët.

Por Sami Ahmeti ka insistuar se aparati i e-kioskut nuk ka qenë funksional. (Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)