Pushteti në Komunën e Obiliqit nuk ka arritur të shpenzojë pjesë të madhe të buxhetit për projekte kapitale të vitit të shkuar. Për pasojë, një pjesë e grantit qeveritar i është kthyer Thesarit të Shtetit.
Në opozitë thonë se mbetja e 2.5 milionë eurove të pashpenzuara tregon paaftësi dhe papërgjegjësi të zyrtarëve komunalë.
“Ne mendojmë që kjo nuk është vetëm nga papërgjegjësia dhe nga paaftësia e ekzekutivit për të realizuar këto mjete, por edhe nga neglizhenca, duke e pasur parasysh se në drejtoritë e Komunës së Obiliqit janë të vendosur njerëz joprofesionalë”, ka deklaruar Sami Ahmeti, shef i Grupit të këshilltarëve të LVV-së në Obiliq.
E Xhelal Krasniqi, këshilltar komunal i AAK-së, thotë se Komunës së Obiliqit si një prej më të varfrave në Kosovë, nuk bën t’i ndodhë kjo.
Zyrtarët komunalë të Obiliqit thanë se shuma e mjeteve të humbura nuk është 2.5 milionë euro, por 911 mijë e 358 euro. Në komunë e arsyetojnë suficitin.
“Ne kemi pasur përballje të madhe me ngecjet në procedurat tenderuese, konkretisht Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, ku në çdo ankesë rreth tenderimeve, për një përgjigje ose shqyrtim të lëndëve, ne kemi pritur me muaj të tërë dhe krejt kjo ka shkaktuar vonesa dhe vështirësi në realizimin e planifikimeve kapitale”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim në Komunën e Obiliqit.
Opozita ka përmendur disa projekte që do të mund të ndërtoheshin me suficitin, mes tyre edhe objekti i shkollës “Ibrahim Rugova”.