Arbëri

Vetëvendosje akuzon pushtetin në Obiliq për vjedhje të parasë publike

Dyshime për vjedhje të parasë publike nga ekzekutivi i Obiliqit ka ngritur Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë. Shefi i Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Sami Ahmeti, ka thënë se këto dyshime janë ngritur për shkak të mungesës së transparencës nga ana e pushtetit komunal. Këto komente ai i ka bërë gjatë seancës të së enjtes kur është diskutuar për bartjen e rreth 370 mijë eurove të hyra vetjake të Komunës së Obiliqit.

“Si Lëvizje Vetëvendosje e kuptojmë që nganjëherë është e pamundur realizimi i 100 për qind të buxhetit komunal. Por, bazuar në vitet paraprake ky vit është paksa më mirë në shpenzimin e mjeteve të buxhetit. Për arsye se viti që shkoi ishte vit i zgjedhjeve lokale dhe qëllimisht ishte lënë që projekte të caktuara të përfundonin rreth muajve zgjedhor. E shumë prej këtyre projekteve përmbajnë në vete dyshime korruptive, për të cilat dhe me të cilat do të merren organet e drejtësisë”, është shprehur Sami Ahmeti gjatë kësaj seance.

Sipas tij, është e pajustifikueshme mbetje e këtyre mjeteve, kur siç thotë ai, Obiliqi është ndër qytetet më të varfëra në vend.

“E kemi një sistem shëndetësor me mungesa qenësore dhe të teprojnë 370 mijë euro s’do koment. Kur kemi sistem arsimor dhe shkolla me mungesa të ndryshme, ku s’kanë as inventar, as pajisje elektrike, as kabinete e madje as materiale administrative dhe të teprojnë 370 mijë euro mendoj që është jo vetëm pazotësi, por edhe nënçmim për qytetarët. E mos të flasim për mungesa tjera, qoftë në rrugë, qoftë në institucione, qoftë edhe në nivele të sigurisë”, ka theksuar shefi i GK të LVV-së. “Thjesht, çdo gjë që ka lidhje me buxhet, ne nuk do ta votojmë. Sepse jo vetëm që nuk ju besojmë, por thjesht kemi dyshimet tona se po keqpërdoren mjetet apo thënë më thjeshtë po vidhen ato. E dyshimet tona kanë bazë në përpjekjet tuaja për të mbajtur larg transparencën e transaksioneve të pagesave të parasë publike”.

Këtyre akuzave u është përgjigjur nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, i cili i ka mohuar ato.

“I nderuar z.Ahmeti jemi në Kuvend, nuk jemi në rrugë, prandaj kursehu prej fjalëve. Etiketimet të cilat i bëre nuk i bëjnë nder këtij Kuvendi këtu. Prandaj fjalët e rënda të cilat je duke i përdorur, ki kujdes se nuk është e vërtetë. Nuk je ti ai i cili e vlerëson kush është këtu hajn e kush nuk është. Prandaj, kursehu të lutem”, është shprehur nënkryetari Mjekiqi.

Por, këshilltari Ahmeti ka thënë se dyshimet janë duke i bërë vetë pushteti.

“Ato që i thash i përsëris jo vetëm një herë, por 500 herë. Dyshimet jeni ju vet duke i ngritur. Jo njëherë, por me dhjetëra kërkesa bëhen në drejtim tuajin për transparencë të parasë publike, ju i fshihni ato. Dhe derisa është ashtu, ne nuk ju besojmë”, ka thënë ai.

Para se të miratohej bartja e 368,930.24 eurove, këshilltari nga Grupi AAK-LB, Xhelal Krasniqi, ka kërkuar që një pjesë e tyre të ndahen për pako ushqimore për familjet me asistencë sociale.

“Duke parë inflacionin ekonomik- rritjen e çmimeve të artikujve bazë, ku në çdo takim me qytetarë temë shqetësuese është rritja e papërballueshme e artikujve ushqimor, pra në emër të grupit të asamblistëve të AAK- LB, kërkoj që t’iu dilet në ndihmë familjeve me asistencë Sociale në Komunën tonë pra për 3 muaj të ndihmohen me pako ushqimore derisa Qeveria e Republikës së Kosovës të dalë me modalitetet e ndihmës për kategoritë të cilat më vështirësi po arrijnë të mbijetojnë në këtë periudhë të rëndë”, ka thënë këshilltari Krasniqi.

Por, kjo kërkesë e tij nuk është hedh në votim. Kryesuesja e Kuvendit, Vlora Kabashi-Mjekiqi ka thënë se është vija e ndarë buxhetore për pako ushqimore, siç është bërë edhe në vitet paraprake.

“Kërkesën tuaj sigurisht do ta shoh drejtoresha e Shëndetësisë dhe së bashku me kryetarin do të shohin për mundësitë”, ka thënë ajo.