Pa këshilla funksionalë të fshatrave nga viti 2014 ka mbetur Komuna e Obiliqit. Zyrtarët e partive opozitare thonë se mungesa e këtyre këshillave po i konvenon pushtetit në Obiliq.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-së, Sami Ahmeti, ka thënë se edhe më herët këta këshilla kanë funksionuar me njerëz partiakë.
“Në seancën e fundit, pra në shkurt të këtij viti e votuam në parim që rregullorja për këshillat e fshatrave të shkojë në debat publik. Si Lëvizje Vetëvendosje konsiderojmë se debati i mirëfilltë publik u sjellë të mira komunitetit. Në Komunën tonë deri më tani nuk u është dhënë rëndësi këshillave të fshatrave sepse në shumicën e tyre ato këshilla i kanë kthyer në struktura partiake të pushtetit dhe kjo edhe e ka ulë besimin e qytetarëve në to. Ne mendojmë që këshillat e fshatrave duhet të jenë mbipartiakë sepse animi i tyre nga një parti politike dëmton funksionalitetin dhe besueshmërinë e tyre”, ka theksuar Sami Ahmeti. “Mungesa e këtyre këshillave po bënë që qytetarët, bujqit, studentët e edhe kategoritë tjera të hasin në vështirësi në realizimin e kërkesave të tyre, gjë që po i konvenon pushtetit me veti përtacie, dhe jo vetëm të instaluar në Obiliq. Ato kërkesa që do të mund t’i adresonin këshillat e fshatrave, tani po personalizohen nga persona partiakë me tendenca të familjarizimit dhe keqpërdorimeve tjera”.
Shefi i GK të LVV-së ka thënë se si parti do të japin kontributin e tyre para se të miratohet kjo propozim-rregullore.
Edhe këshilltari i AAK-së, Xhelal Krasniqi, ka thënë se Komuna e Obiliqit nuk ka këshilla të fshatrave e lagjeve.
“Sa i përket këshillit të fshatrave që nga viti 2014 ose 2015 nuk kemi pa një aktivitet të tyre përkitazi me nevojat e qytetarëve ose që janë thirr publikisht për t’u deklaruar me problemet eventuale të komunitetit dhe në bazë të normativin në fuqi më kalimin e mandatit pra 4-vjeçar, pra de facto në komunën tonë jemi pa këshillin e fshatrave”, është shprehur Xhelal Krasniqi. “Si Aleancë dhe Lëvizja për Bashkim mendojmë që duhet të rizgjedhen këshillat e fshatrave në bazë të rregullores dhe vendimeve në fuqi me të vetmin qëllim që nevojat dhe shqetësimet e komunitetit të adresohen në rrugë ligjore për të cilën janë të ngarkuar edhe këta përfaqësues”.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi, në seancën kur është miratuar vënia në diskutim publik të kësaj rregulloreje, ka thënë se vonesat në funksionimin e këtyre këshillave janë shkaktuar për shkak të pandemisë.
“Në mandatin e kaluar nuk i kemi formuar këshillat e fshatrave për shkak të pandemisë. Deri tash kryesuesit e këtyre këshillave nuk janë kompensuar jo vetëm në komunën tonë, por në asnjë komunë”, ka thënë ndër të tjera Mjekiqi.