Nën tavanin gati të rrënuar, nxënësit e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, tash e dymbëdhjetë vjet e zhvillojnë procesin mësimor. Ata ankohen për klasa të ftohta e të ngushta, që e vështirësojnë mbajtjen e orëve mësimore. E në Drejtori të Arsimit thanë se ata do të detyrohen që në këtë objekt të qëndrojnë edhe për dy vjet të tjerë
Tingujt e instrumenteve që i luajnë nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë shpesh i trazojnë pikat e ujit që depërtojnë nga tavani pothuajse i rrënuar i objektit të vjetër.
Përveç shkollës me 316 nxënës, në këtë objekt janë të vendosura edhe Muzeu i qytetit, Policia dhe zyrat e disa shoqatave.
Nxënësit ankohen për klasa të ngushta e të ftohta dhe për kushte të pamjaftueshme për zhvillim të mirëfilltë të procesit mësimor.
“Klasat nuk janë adekuate edhe të janë të ngushta për ta mbajtur procesin mësimor, edhe prej disa profesorëve nuk e kemi klasën e instrumenteve të përcaktuara, për shembull për klarinetë duhet ta mbajmë në zyrën e drejtoreshës... Ka ndodhur kur kemi mbajtur klarinetën në klasë, ka piku, i kemi shportat e mbeturinave që i qesim kur pikon shiu”, ka thënë Leona, nxënëse në këtë shkollë.
Valbona Prekazi, drejtoreshë e shkollës, pranoi që objekti nuk i përmbush kushtet për mësim të mirëfilltë, ndërsa shtoi se gjatë javës ka pasur probleme me ngrohje.
“Për shkak të vjetërisë së objekt, këtu ka filluar qysh moti tavani të pikojë nëpër klasa, edhe me vite kemi kërkuar sanimin e këtij problemi, por në bazë të reshurave ka qenë gjithmonë, ka pikuar më shumë derisa në një klasë ka rënë tavani, ajo klasë nuk shfrytëzohet... Prej të reshurave të fundit, sidomos dhe vërshimet që ishin më parë, është komplikuar dhe ka filluar në klasat e tjera, kjo e vështirëson punën tonë”, ka thënë Prekazi.
Shkolla është zhvendosur në këtë objekt prej dymbëdhjetë vjetësh, pasi hapësira e mëhershme është rrënuar shkaku i vjetërsisë. E premtimet për ndërtimin e një godine të re, drejtoresha Prekazi tha se nuk janë jetësuar.
Drita Kadriu, drejtoreshë e Arsimit në Mitrovicë, paralajmëroi se nxënësit e shkollës “Tefta Tashko” do të detyrohen që të mësojnë në këtë objekt edhe për dy vjet të tjerë.
“Ne mendojmë se do ta përfundojmë shkollën në 70-vjetorin e shkollës. Ata edhe dy vjet i bëjnë 70 vjet. I kemi këto synime, edhe pse të gjitha procedurat nuk varen prej nesh, por varen Nga ligji i Prokurimit, nga mundësitë që i ka treguar, nga çmimet që janë në treg”, ka thënë Kadriu.
Tenderi i hapur vitin e shkuar për ndërtimin e objektit të ri të shkollës është anuluar, pasi Komuna nuk pati mjete të mjaftueshme për mbulimin e kostove të operatorëve ekonomikë.