Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nxënësit në Lismir të Fushë-Kosovës bojkotojnë mësimin

lismir

Mbi 130 nxënës të shkollës “Lismiri” në Lismir të Fushë-Kosovës nuk e kanë nisur vitin e ri shkollor më 1 shtator, pasi prindërit kanë vendosur që ata ta bojkotojnë procesin shkaku i kushteve të rënda të objektit. Prindërit kanë kërkuar rinovimin e shkollës, ndërsa Komuna ka paralajmëruar se po e shqyrton mundësinë e zhvendosjes së nxënësve

Mbi 130 nxënës të shkollës fillore të mesme të ulët në fshatin Lismir të Fushë-Kosovës nuk e kanë filluar vitin e ri shkollor të martën.

Prindërit, pasi i kanë dërguar fëmijët e tyre dhe i kanë parë kushtet e shkollës, kanë vendosur për bojkotim të mësimit.

Për këtë shkollë, në qershor të këtij viti, Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë pati konstatuar se nuk ka kushte për t’u mbajtur mësimi.

Disa nga rekomandimet në raportin e inspektimit ishin sanimi i gjendjes në tualete, dysheme, largimi i kundërmimit të mykut dhe lagështisë së mureve, ndërrimi i dyerve dhe dritareve, si dhe izolimi i katit përdhes.

Nexhat Tërnava, nga Këshilli i Prindërve ka thënë se kërkesë e kësaj shoqate është rinovimi i objektit. Sipas tij, kërkesa i është dorëzuar edhe Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë.

“Edhe kërkesa jonë është shumë e qartë. Kërkesa rezulton të jetë ajo që i është dorëzuar sot drejtorit. Aty kërkesa është e qartë, pra: që të rinovohet shkolla, të plotësohen kushtet për të vazhduar mësimin”, ka thënë ai.

E sipas drejtorit të kësaj shkolle, Uran Tërnava, deri tash komuna nuk ka ofruar ndonjë alternativë për rinovimin e objektit apo zhvendosjen e procesit mësimor në një objekt tjetër.

“Për këtë arsye, në mungesë të një vendimi zyrtar për zhvendosjen, jam i obliguar që procesin mësimor ta filloj në objektin aktual të shkollës, duke pasur parasysh edhe përgjegjësinë institucionale që kemi për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor”, ka thënë Uran Tërnava, drejtor i shkollës.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Sabri Xhigoli, ka thënë se nuk do të bëhet renovimi i shkollës, pasi sipas tij, nxënësit e këtij fshati do të

zhvendosen në gjimnazin “Hivzi Sulejmani”.

“Nuk parashikohet të ketë infrastrukturë apo objekte siç janë shkollat. Duke e pasur këtë parasysh, meqë po rrënohet ai objekt, ne kemi menduar se do ta gjejmë mirëkuptimin e komunitetit të Lismirit që procesi mësimor për këtë shkollë të organizohet në ambientet e shkollës së mesme, gjimnazit në Fushë-Kosovë. Dhe të gjitha shpenzimet e udhëtimit ne duam t’i mbulojmë përmes subvencionimit, siç do të jetë me disa raste të tjera”, ka thënë Xhigoli.

Ai ka theksuar se komuna është në diskutime me prindërit dhe zyrtarët e tjerë për gjetjen e një mundësie më të mirë për nxënësit.