Arbëri

Prindërit në Shashkovc kundërshtojnë mësimin tërëditor në Kishnicë

Në fshatin Shashkovc të Prishtinës, 46 nxënës po refuzojnë mësimin tërëditor në shkollën amë “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, që ka nisur më 1 shtator. Ata insistojnë të ndjekin mësimin në paralelen e ndarë në fshat. Edhe pse Komuna ua ka siguruar transportin, prindërit thonë se rruga deri në Kishnicë, rreth 8 kilometra, është e vështirë, sidomos gjatë dimrit. Po ashtu druajnë se mbyllja e shkollës së fshatit rrezikon braktisjen e tij

46 nxënësit e fshatit Shashkovc po vazhdojnë të refuzojnë mësimin tërëditor që ka filluar më 1 shtator në shkollën amë, atë në Kishnicë. 

Ata insistojnë të vazhdojnë mësimin në paralelen e ndarë të shkollës “Ditët e Minatorit”, e po ashtu edhe prindërit kundërshtojnë kalimin në mësim tërëditor.

Sipas tyre, rruga deri në Kishnicë është rreth 8 kilometra dhe transporti është i vështirë, sidomos gjatë dimrit, megjithëse Komuna e Prishtinës e ka siguruar transportin e nxënësve të këtij fshati. 

Banorët thonë se mbyllja e shkollës së fshatit do të rrezikonte jo vetëm arsimimin e fëmijëve, por edhe vetë jetën e komunitetit në këtë fshat.

“Problemi kryesor për mësimin tërëditor në Shashkovc është që transporti është i vështirë. Kemi gjithnjë problem gjatë dimrit, kjo është pika kryesore. Po mbetet fshati pa shkollë diqysh po i bie njëfarë hije e keqe. Dëshira jonë është me renvu dhe mbajtë shkollën sepse nëse mbyllet shkolla nuk e besoj që ka me mbetë dikush në fshat”, ka thënë banori dhe prindi i një nxënësi Qëndrim Bytyqi.

Ankesë të njëjtë ka shprehur edhe banori tjetër Blerim Xhelili. 

“P.sh. dje djali jem ka qenë sëmur në shkollë tash në Kishnicë kush me shku me e marrë. Kur po është djali në shkollë kush me shku me marrë në Kishnicë sikur puna e djeshit që ka qenë. Në qoftë se nuk është edhe shkolla atëherë sipas mendimit tim, me lënë edhe vendin edhe me shku diku tjetër me jetu”, ka thënë Xhelili.

Por mësimdhënësit thonë se mësimi tërëditor në shkollën amë ofron kushte shumë më të mira për nxënësit.

“Është ma mirë për nxënës me qenë me nxënës në mësimin tërëditor. Atje janë kushtet shumë më të mira, janë kabinetet, janë hapësirat më të mëdha edhe pak shoqërizimi i tyre atje do të ishte më i mirë. Më së shumti është problem kushtet gjeografike, janë ato që te ta po ndikojnë më shumë dhe e dyta, me u mbyllë një shkollë në fshat për ata nuk është e lehtë”, ka deklaruar Naim Bytyqi, mësimdhënës në shkollën fillore “Ditët e Minatorit”.

Drejtori i shkollës në Kishnicë, Vezir Bytyqi, po ashtu thotë se banorët e Shashkovcit po ua mohojnë fëmijëve të tyre një mundësi më të mirë për arsim.

“Kemi pasur një hezitim nga komuniteti i fshatit Shashkovc, të cilët po u a humbin një mundësi shumë të mirë fëmijëve të tyre për ta ndjekur mësimin tërëditor. Numri i vogël i nxënësve krijon vështirësi edhe në punën e mësimdhënësve por kjo ka pasoja edhe për vetë nxënësit sepse në një klasë me pak nxënës nuk ka konkurrencë. Është në pyetje socializimi, integrimi i tyre prandaj konsideroj që ardhja e të gjithë nxënësve këtu në shkollën amë do t’i eliminonte shumë segmente të tjera të cilat faktikisht ndikojnë në ngritjen e cilësisë në mësim”, ka thënë drejtori Vezir Byqytqi. 

Shkolla “Ditët e Minatorit” në Kishnicë është njëra nga shtatë shkollat e Prishtinës që i është bashkuar programit të mësimit tërëditor. 

Për dallim nga shumica, kjo shkollë – ashtu si edhe ajo “Ali Kelmendi” – e zhvillon këtë formë mësimi nga klasa e parë deri në të nëntën. Pesë të tjerat, mësim tërëditor organizojnë nga klasa 1 deri në të 5-tën.