Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një javë afat për regjistrimin e votuesve jashtë vendit për zgjedhjet e 23 prillit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të hënën ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, si dhe për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Sipas njoftimit të KQZ-së, afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 27 mars.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, thuhet në njoftim.

Detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 8 prill dhe përfundon më 21 prill 2023”, thuhet më tej në njoftim.