Arbëri

Nivel i lartë turbullire në Ibër-Lepenc, ka reduktime të ujit

Uji i pijes

Furnizimi me ujë të pijshëm është ndalur në një pjesë të Prishtinës, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Drenas për shkak të nivelit të lartë të turbullirës në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar të shtunën se është ndërprerë puna në fabrikën në Shkabaj nga ku këto qytete furnizohen me ujë të pijshëm.

Turbullira ka ardhur si shkak i punimeve teknike në kanal.

“Si shkak i punimeve teknike në kanalin e Ibër Lepencit kemi nivel të lartë të turbullirës, nivel që bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije, konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë. Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar të ndërpremë punën në fabrikën në Shkabaj nga e cila bëhet furnizimi me ujë të pijshëm Fushë Kosovën, Obiliqin, Drenasin dhe lagjen Kalabria në Prishtinë (një pjesë)”, thuhet në njoftimin e KRU.

Ujësjellësi theksoi tutje se furnizimi me ujë në lagjet tjera të Prishtinës “do të ketë ndikim minimalisht”.

“Lidhur me reduktimet deri në përmirësimin e gjendjes do ju informojmë me njoftimin e radhës”, ka thënë KRU “Prishtina”.