Mungesa e ujit të pijshëm ka prekur disa rajone të Kosovës, pas turbullirave të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe nga vërshimet e kësaj jave. Për shkak të problemeve në trajtimin e ujit nga kanali Ibër-Lepenc, autoritetet e kanë kufizuar furnizimin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar që uji të mos përdoret për pije
Zonat e prekura nga vërshimet janë përballur edhe me mungesë të ujit të pijes.
Në mesin e tyre janë edhe komunat që furnizimin me ujë e sigurojnë nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe “Mitrovica”.
Ekspozimi i kanalit Ibër-Lepenc nga përroskat, ujërat malorë dhe rrëshqitjet e dheut kanë krijuar turbullira, duke e pamundësuar trajtimin e ujit.
Bashkim Kurti, i cili është kryeshef i KRU “Mitrovica”, ka thënë se aktualisht është duke u operuar me kapacitet të plotë, porse për arsye sigurie është rekomanduar që uji të mos përdorët për pije. Ai ka përmendur edhe shkaqet që janë duke i shkaktuar turbullirat në kanalin “Ibër-Lepenc”.
“Ata janë në fazën e investimeve për ta bërë më të mirën që edhe ne të kemi ujë cilësor, por normalisht që zgjatin këto investime nuk është diçka që mund të bëhet brenda ditësh. Jemi duke folur për 45 kilometra kanal. Në anën tjetër, edhe papërgjegjshmëria e njerëzve që hedhin gjësende të ndryshme në kanal, derdhjet edhe prej përroskave, lëvizjeve të ujit, rrëshqitjet e dheut, të gjitha këto e bëjnë ujin e kanalit më vështirë të trajtueshëm”, ka theksuar Kurti.
E në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) kanë bërë të ditur se Fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe në Bivolak janë jashtë funksionit, për shkak të turbullirës së madhe. Sipas këtij institucioni, jashtë standardeve dhe vetëm për përdorim teknik është uji në rajonin e Prizrenit, në Kamenicë, Viti dhe në disa fshatra të kësaj ane, pastaj në Deçan, Junik dhe Klinë, si dhe në rajonin e Mitrovicës.
Tash e pesë vjet, ndërmarrja “Ibër-Lepenc” nuk ka arritur që ta përfundojë projektin për rehabilitimin e kanalit, i cili do të ndikonte në cilësinë e ujit që furnizon disa rajone.
Ani se projekti është paraparë që të fillojë në vitin 2021 dhe të përfundojë brenda 24 muajsh, ai ende nuk është përmbyllur.
Koordinatori i Njësisë për Implementimin e Projektit, Vigan Syla, ka thënë se punimet janë drejtë përfundimit.
“Projekti ka të bëjë me rehabilitimin e kanalit. Tani veç është afër përfundimit. Ka mbetur edhe rreth 400 metra në pjesën e Zubin-Potokut, që parashihet të jetë e mbuluar. Pjesa tjetër e kanalit është e hapur”, ka theksuar Syla.
Studimi i Fizibilitetit i bërë nga Banka Botërore (BB) në vitin 2016, pati rekomanduar ndërtimin e një rezervuari sigurie në afërsi të Prishtinës, i cili do të garantonte që termocentralet e Kosovës dhe sistemi i ujësjellësit në Shkabaj të kenë furnizim të pavarur dhe të sigurt nga liqeni i Ujmanit për të paktën 7 ditë.
Por, më pas, në vitin 2021, ai është lënë jashtë projektit.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga kryeshefi i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, lidhur me problemet me turbullirat, porse ai nuk është përgjigjur gjatë së premtes.