Arbëri

KRU “Mitrovica”: Uji të mos përdoret për pije deri në njoftim të radhës

Iber-Lepenc turbullira

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka apeluar te qytetarët se nëse mbërrin ujë në rrjet, ai nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës.

Apeli është bërë pasi niveli i turbullueshmërisë në kanalin Ibër-Lepenc vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar, pas vërshimeve në dy ditët e fundit.

KRU “Mitrovica” ka thënë se në mbrëmje ka pasur një rënie të turbullueshmërisë, por se gjendja është rënduar sërish. Kjo ndërmarrje ka bërë të ditur se furnizimi me ujë është ndërprerë.

“Ju njoftojmë se niveli i turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt të ujit, për çka Impiantet për Trajtimin e Ujit të Pijes nuk mund të operojnë. Edhe pse gjatë orëve të mbrëmjes është vërejtur një rënie e përkohshme e turbullshmërisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit të ujit, situata ka ndryshuar sërish dhe niveli i turbullshmërisë ka shënuar rritje, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së ujit për konsum. Si pasojë, furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë, ndërsa uji që eventualisht mund të arrijë në rrjet NUK duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës”, thuhet në njoftim.

KRU “Mitrovica” ka thënë se do t’i mbajë të informuar konsumatorët sapo që të jetë e mundshme.