LAJMET E MBRËMJES

Përmbytjet lënë disa komuna pa ujë të pijshëm, shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë

Komunat e prekura nga vërshimet të mërkurën janë përballur me reduktime të ujit të pijshëm. Për ta mundësuar furnizimin e qytetarëve me ujë të pijes, janë vendosur disa autobote në terren në zona të ndryshme. Reshjet e shiut që kanë rënë që nga e marta kanë shkaktuar telashe edhe në trafik, për çka Policia e Kosovës u është drejtuar ngasësve me thirrje për kujdes. E Ministria e Arsimit ka marrë vendim për ta shtyrë deri më 12 janar fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

Reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës, kanë bërë që qytetarë të zonave të prekura të përballen edhe me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm.

Rrëshqitja e dheut në kanalin e ujit “Ibër-Lepenc” në Zubin-Potok ka shkaktuar turbullira, duke i lënë pa ujë komunat që furnizohen nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica”.

“Duke iu referuar njoftimit zyrtar të ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenc’, nga e cila KRU ‘Mitrovica’ Sh.A. siguron ujin e papërpunuar, ju informojmë se rrëshqitjet e dheut përgjatë kanalit duke ngritur lart nivelin e turbullirës kanë pamundësuar furnizimin me ujë të përshtatshëm për trajtim”, është bërë e ditur në njoftimin e KRU “Mitrovicës”

Problemet në kanalin “Ibër-Lepenc” kanë lënë pa ujë edhe qytetet që furnizohen nga KRU “Prishtina”, përkatësisht nga fabrika e ujit në Shkabaj. Edhe në këtë ndërmarrje kanë njoftuar se furnizimi me ujë të pijshëm është duke u realizuar nëpërmjet autoboteve, përveç Mitrovicës, edhe në komunat e Drenasit, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.

Për cilësinë e ujit të pijshëm ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), duke bërë të ditur se uji në disa rajone nuk është i sigurt për pije. Në këtë Institut kanë rekomanduar që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

Shtyrja e gjysmëvjetorit

Si pasojë e situatës me vërshime, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë Kosovën është shtyrë për 12 janar, me vendim të Ministrisë së Arsimit (MASHTI).

E në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) kanë paralajmëruar se ekziston mundësia që situata të përkeqësohet gjatë ditëve në vijim.

“Vlerësimi i rrezikut: Ekziston mundësi për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, megjithatë rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”, thuhet në njoftimin e AME-së.

Vërshimet kanë shkaktuar edhe telashe në trafik, për ç’arsye Policia e Kosovës u është drejtuar ngasësve me thirrje për kujdes. Sipas Policisë, në rrugë të ndryshme janë evidentuar vështirësi në qarkullim, përfshirë dëmtime të rrugëve, rrëshqitje dheu dhe dëmtime në ura të caktuara.

Gjatë ditës, disa prej zonave të goditura nga vërshimet i ka vizituar presidentja Vjosa Osmani, e cila nga Gjakova dhe Malisheva ka shprehur mbështetje për qytetarët.

“Natyrisht se ka familje që janë të prekura nga kjo situatë, vendbanimet e të cilëve janë dëmtuar. Do të punojmë bashkërisht që kjo të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre në përballje me këtë situatë. Kryetari Gjini na njoftoi për të gjitha masat që janë ndërmarrë e po ashtu për planet që do të hartohen në vazhdimësi sa u përket kalkulimit dhe kompensimi të dëmeve”, ka theksuar Osmani gjatë vizitës në Gjakovë.

Pas vërshimeve, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se situata aktualisht është nën kontroll.

“Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll. Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze”, ka theksuar Kurti.

Si pasojë e përmbytjeve, komunat e Malishevës dhe Junikut kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme ndërsa në disa komuna ka pasur edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Dëme të mëdha në rrethin e Gjakovës, 28 familje detyrohen të evakuohen

E reshjet e shiut që kanë nisur në mbrëmjen e së hënës kanë bërë që të mërkurën lumi Erenik të dalë nga shtrati dhe të depërtojë në disa shtëpi përreth, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke lënë 28 familje pa strehë në Gjakovë. 

Ani se të reshurat e shiut të mërkurën ka pushuar, uji nuk është tërhequr nga shtëpia e Salih Berishës në fshatin Piskotë të Gjakovës. Rrjedha e lumit Erenik depërtoi edhe të mërkurën brenda shtëpisë, duke lënë pas dëme të mëdha materiale.

Berisha ka thënë se gjithçka që ka pasur në shtëpi është shkatërruar nga uji, ndërsa është ankuar se deri tash askush nga përgjegjësit e Komunës nuk ka dalë për ta parë nga afër gjendjen.
I vetëm, ai ka thënë se nuk ka as mundësi financiare dhe as fizike për t’i sanuar dëmet.

“Na ka hyri uji krejt brenda, me krejt çka ka një shtëpi e robit i ka prishë, me ka krejt. Makinat, frigoriferët, krejt, krejt janë prishur. I kam pasur edhe disa dhi, i kam larguar. Tmerr ka qenë, tmerr. Prej komunës nuk ka qenë askush, as kryetar, as askush. Ka qenë vështirë natën, s’di as vetë kah. Çfarë natë e tmerrshme”, është ankuar Berisha.

Me të njëjtën situatë është përballur edhe fqinji i tij, Artan Kuqishta, të cilit gjatë së martës është dashur që zjarrfikësit të ndërhynin për evakuimin e familjarëve të tij.

Ai ka thënë se uji ia ka marrë të gjitha dhe se kjo nuk është hera e parë që përballet me përmbytje.

“Na ka përfshi uji komplet, me sene ushqimore, me pije me krejt, kurrgjë nuk kemi, veç këto tesha në trup. E lus komunën të vijë dhe ta bëjë shtratin e lumit, për shkak të lumit e kemi këtë telashe. Kjo është e katërta herë që po i përjetoj këto gjëra. Jemi ankuar në komunë e gjithkah… komuna më ka thanë pse e ke blerë këtë vend, unë i thash komunës me pas mundësi shkoj e blej ku është më mirë po s’kam pas mundësi”, ka thënë banori i fshatit Piskotë.

Ai është ankuar se nuk ka ku t’i strehojë familjarët dhe se nga Komuna nuk ka marrë ndihmë.

Familja e tij është një prej 28 syresh që janë detyruar të evakuohen si pasojë e vërshimeve, ka bërë të ditur komandanti i zjarrfikësve në Gjakovë, Xhevat Ibrahimaj.

E Jeton Ibrahimi nga Brekoci së bashku me familjen është sistemuar në banesat sociale, të cilat Komuna e Gjakovës i ka vënë në dispozicion. Ai është vetë i dymbëdhjeti dhe ka kërkuar nga komuna kompensim të dëmeve.

“Veç teshat e trupit çka i kemi shpëtuar, kurrgjë send tjetër, hiç. Çka ka pas shpija e robit, krejt kanë shkuar, nuk ka shpëtuar një send, bre. Pardje kemi qëndruar në shi, dje ashtu derisa u sistemuam këtu. Presim prej komunës të na paguaj dëmin që na është shkaktuar, të na ndreq edhe atë lum”, ka thënë ai.

Deri të mërkurën pasdite, në banesat sociale në Gjakovë janë sistemuar vetëm tri familje nga Brekoci.

“Për momentin këto tri familje kanë ardhur nga lagjja Brekoc, është një lagje me ndërtime informale që për çdo vjet, për shkak të rrethanave ka vërshime. Janë tri familje me 33 anëtarë, gjithsej janë 21 fëmijë që kemi arrit t’i sistemojmë këtu në hapësirat e banimit social”, ka thënë Dafina Kazazi, e cila është ushtruese e detyrës së drejtores së shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Gjakovë.
Reshjet e shiut, të cilat kanë nisur mbrëmjen e së hënës kanë bërë që nga shtrati të dalë edhe lumi Drini i Bardhë, duke vërshuar shumë objekte e fusha përreth.