Arbëri

Vërshime në gjithë Kosovën, gjendje e jashtëzakonshme në dy komuna

Vërshima

Foto: Driton Paçarada

Komuna të shumta të Kosovës janë përballur me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës të martën. Për pasojë shumë shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme ndërsa është shtyrë edhe fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkolla

Komuna të shumta të Kosovës janë përballur me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës të martën. 

Për pasojë shumë shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe është shtyrë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkolla.

Në fshatin Fortesë të Rahovecit, e cila është njëra prej komunave më të goditura, ujërat kanë përmbytur katin e parë të shtëpisë së Fatmir Popajt, duke i dëmtuar pothuajse të gjitha pajisjet shtëpiake. 

“Vërshimet kanë filluar në mëngjes. Pra, atëherë ka hyrë uji brenda. Askush nuk ka qenë as për të na parë,. Kemi filluar të pastrojmë dhe kemi drojë se do të na marrë prapë (uji). Prej mëngjesit, deri nga ora 14:00 veç jemi duke pastruar”, ka treguar ai.

Me pasoja të vërshimeve është përballur edhe mërgimtari nga Austria, Burim Popaj, i cili ka kritikuar autoritet lokale për situatën.

“Kjo është hera e katërt që nga vitit 2005. Është shqetësuese, sepse sa herë që po bie shi, po na duhet të kemi vesvese. Herëve të tjera vinin (autoritetet komunale) e disave u kanë ndihmuar”, ka thënë ai.

E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka kërkuar që qytetarët ta raportojnë çdo rast që kërkon ndërhyrje.

“Aktualisht situata është stabilizuar, sepse edhe reshjet kanë pushuar. Mirëpo, gjatë paradites së hershme, tek nga mesnata dhe deri rreth orës 11, ka qenë e vështirësuar. Kemi pasur shembje të rrugëve, kemi pasur edhe probleme me KEDS-in”, ka thënë ai për emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

Latifi ka bërë të ditur se shkaku i situatës është shtyrë deri më 12 janar nisja e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në këtë komunë.

Në Prishtinë kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka njoftuar se është intervenuar së paku në 40 raste, si pasojë e vërshimeve. Gjendje e rënduar është paraqitur edhe në disa fshatra të Komunës së Fushë-Kosovës. Në atë të Gjakovës janë evakuuar disa familje të prekura, ndërsa familjeve që kanë nevojë për strehim Komuna ka njoftuar se do t’u sigurojë akomodim në banesa sociale.

Në Komunën e Deçanit qytetarëve u është bërë apel që t’i shmangin zonat e rrezikuara. E kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se gjendja në këtë komunë është nën kontroll dhe se po shkon drejt përmirësimit.

Gjendje e jashtëzakonshme në Malishevë e Junik

Situatë e rënduar me vërshime është evidentuar në Komunën e Malishevës. Në fshatin Bubavec ujërat kanë depërtuar në katin përdhes të shtëpisë së Demokrat Kryeziut. Për këtë shkak ai dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij është dashur që të evakuoheshin me ndihmën e zjarrfikësve.

Pas evakuimit, Kryeziu është ankuar se përmbytja i ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në shtëpi, duke shkatërruar pothuajse gjithçka në katin e parë.

“Problemi domethënë ka ndodhë, uji që ka hyrë brenda prej mëngjesit. E kemi pasur prej orës 5 ose 6, edhe është dashur të ngjitemi në katin sipër, sepse poshtë u mbush komplet ujë edhe oborri, edhe shtëpia. Fëmijët kanë pasur frikë, i kemi thirrur zjarrfikësit. I kanë tërhequr (fëmijët) dhe i kanë dërguar te vëllai tjetër”, ka thënë ai.

Zjarrfikësi Kujtim Morina e ka përshkruar si të vështirë operacionin për largimin e familjes nga shtëpia.

“Jemi këtu në fshatin Bubavec, e kemi bërë tërheqjen e fëmijëve. I kemi dërguar në vend të sigurt. Shumë ka qenë e vështirë, se kanë qenë në panik”, ka thënë ai.

Përmbytjet e shtëpive kanë shkaktuar dëme materiale për ekonomitë familjare. Për kompensimin e tyre ka bërë thirrje banori i Bubavecit, Nuhi Kryeziu, tek është ankuar se kjo nuk është hera e parë që përballet me pasoja të përmbytjeve.

“Tash nëse nuk munden 100 për qind të na kompensojnë këto materialet që janë dëmtuar, atëherë duhet diçka të na kompensojnë, sepse ne shumica e popullatës jemi në varfëri”, është shprehur ai.

Në këtë komunë dëme kanë pësuar edhe bizneset. Është përmbytur edhe parkingu nëntokësor, në të cilin pati investuar Komuna dhe si pasojë aty është pamundësuar qarkullimi ndërkaq disa vetura edhe kanë mbetur të ngujuara brenda.

Shkaku i situatës së krijuar Komuna e Malishevës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka marrë vendim që ta shtyjë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit.

“Për momentin ka filluar të qetësohet situata, pasi ka rënë niveli i ujit në lumin Mirusha, por gjendja është e rënduar, sepse rrugët janë të bllokuara”, ka thënë Artan Paçarizi, zyrtar për komunikim me publikun në Komunën e Malishevës. 

Gjendje të jashtëzakonshme ka shpallur edhe Komuna e Junikut, në të cilën po ashtu është shtyrë nisja e mësimit deri më 12 janar.

Pokleku, ndër fshatrat më të goditura të Drenasit

Drenasi është komunë që gjithashtu është goditur rëndë nga reshjet e dendura të shiut. Gjendja më e rëndë është paraqitur në tri fshatra.

Një numër i madh i shtëpive janë përmbytur në Poklek, që bie te pjesa ku kalon lumi Drenica. Ekipet emergjente kanë arritur të evakuojnë një numër qytetarësh, por shumë të tjerë kanë mbetur ende të izoluar.

Afrim Gjeli është komandant i Zjarrfikësve në Drenas dhe atij gjatë ditës nuk i kanë pushuar thirrjet në telefon për të intervenuar. Ai ka treguar se kërkesat e para për ndihmë i ka marrë në orët e hershme të mëngjesit, porse evakuimet janë bërë më vonë, pasi që është siguruar një varkë nga një qytetar.

“Në tre të mëngjesit kemi filluar me intervenime. Ka pasur thirrje telefonike në adresën tonë që me iu dalë qytetarëve në ndihmë aty ku ka paraqitur rrezik për lëvizje të këmbësorëve, për qarkullim të automjeteve. Iu kemi përgjigje çdo thirrje që kemi pasur mundësi. Domethënë nga ora 8 e mëngjesit kemi filluar me dalë në Poklek të Ri, në pjesën ku jemi tani, për ta bërë evakuimin e disa familjeve që kanë mbetur në shtëpi banimi”, ka treguar ai.

Dhjetëra familje kanë mbetur të bllokuara në lagjen “Pokleku”, në të cilën Florent Krasniqi ka shkuar gjatë ditës nga Malisheva, pasi që në mesin e të izoluarve janë motra e tij dhe fëmijët e saj.

“E kemi një familjar këtu afër. Edhe na dërgoi pamje që jam këtu te vërshimet. 80 centimetra ishte atje dhe erdhëm që ta evakuojmë, t’i japim ndihmë”, ka thënë ai.

Gjeli ka theksuar se fillimisht janë evakuuar familjet më të rrezikuara.

“Kemi caktuar njëfarë prioriteti. Ato shtëpi që kanë qenë njëkatëshe, e kemi bërë evakuimin e tyre. Tash, kemi filluar edhe katet e dyta”, ka theksuar ai.

Përpos Poklekut, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se janë përmbytur edhe shtëpi në disa fshatra të tjera.

“Këtu ku po e shihni Pokleku i Ri dhe Shtrubullova janë më të rrezikuara, për shkak edhe të ndërtimit në nivel të ujit, por për shkak edhe të mbylljes së shumë rrjedhave atmosferike”, ka thënë ai.

E, niveli i lartë i ujit e ka bërë të pakalueshme rrugën Drenas-Komoran, te pjesa ku ndodhet trafostacioni kryesor i energjisë elektrike. Në pjesën më të madhe të ditës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, meqë është përmbytur edhe objekti i trafostacionit. Aty kanë intervenuar ekipe të specializuara të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave.

Në monitorim të situatës

Vërshimet kanë aktivizuar përfaqësuesit e institucioneve shtetërore për intervenime dhe monitorim të situatës. Atë në Drenas e ka monitoruar ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Po bëjmë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që të mos ketë pasoja të mëdha nga këto vërshime që po ndodhin në disa komuna, si këtu në Drenas, Malishevë, Rahovec dhe në disa komuna të tjera. Jemi në terren me të gjithë operatorët ekonomikë të angazhuar nga ministria jonë, janë në terren në vazhdimësi, 24 orë, për të ndihmuar në çfarëdo situate që është e nevojshme”, ka theksuar Durmishi.

Ai ka thënë se vështirësitë më të mëdha janë krijuar në disa rrugë lokale.

“Problemet më të mëdha i kemi në disa vende, ku edhe qytetarë të ndryshëm, përmes ndërtimeve që kanë bërë, i kanë bllokuar kanalet e trajtimit të ujërave atmosferikë dhe këto po na shkaktojnë shumë probleme. Jemi duke intervenuar me të gjitha kapacitetet kudo që është e nevojshme, që ta kalojmë këtë situatë sa më lehtë që është e mundshme”, ka theksuar ai.

E në Malishevë ka qëndruar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se situata në këtë komunë është vënë nën kontroll dhe banorët janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara.

“Përkundër vështirësive, ekipet e ngarkuara po ia dalin me suksese për t’u ballafaquar me këtë dukuri. Një pjesë e banorëve janë evakuuar, nuk ka dëme në njerëz. Jemi duke vëzhguar situatën”, ka thënë Sveçla.

Në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit gjatë ditës është ndërprerë përkohësisht furnizimi me energji elektrike, si masë sigurie shkaku i depërtimit të ujit në nënstacionin elektrik në Drenas. 

“4 trafo-stacione 10(20)/04 kV mbeten jashtë funksionit në disa lokalitete, ku për shkak të akumulimit të madh të ujit dhe për arsye sigurie, ndërhyrja nuk ka qenë e mundur menjëherë”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.

E në atë të Institutit Hidrometeorologjik (IHK) është bërë e ditur se reshjet gjatë 3-5 janarit kanë ndikuar në rritjen e niveleve të lumenjve dhe përrenjve.

“Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec, Klinë, etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale. Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre”, thuhet në njoftimin e Institutit, në të cilin është theksuar po ashtu se në lumenjtë kryesorë - Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – ka pasur ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.

Në IHK kanë paralajmëruar po ashtu reshje me intervale dhe me intensitet të ndryshëm pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vijim. E përballë kësaj situate në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) u kanë bërë thirrje qytetarëve, kryesisht të atyre që për pije përdorin ujë nga bunarë të pambrojtur, që ta ziejnë ujin para përdorimit.

“Aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit. Megjithatë, qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Reagimet

Për situatën e krijuar me vërshime kanë reaguar të martën përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive deri tash në opozitë.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.

“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit. Falënderoj edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja. Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, ka shkruar ajo në Facebook.

E në Partinë Demokratike (PDK) u kanë bërë thirrje institucioneve qendrore që ta marrin përgjegjësinë e plotë, duke i aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë në menaxhim të situatës emergjente.

“Ndihma për komunat e prekura, familjet dhe bizneset duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe pa burokraci të panevojshme. Në këto momente prioritetet absolut duhet të jetë siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe pronës, si dhe rikthimi sa më i shpejtë i normalitetit në zonat e prekura”, thuhet në reagimin e PDK-së.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes.

“Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, është tejet shqetësuese. Në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve. Kam kontaktuar me kryetarët e komunave nga Aleanca, për t’u informuar mbi veprimet që po i ndërmerr pushteti lokal në përballimin e kësaj situate të rëndë. Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.