Arbëri

Nënkalimet e pashfrytëzuara në Prishtinë, qytetarët ankohen për largësinë e tyre

Nënkalimi te Kalabria

Megjithëse janë ndërtuar për ta rritur sigurinë në komunikacion, disa nënkalime në Prishtinë mbeten jashtë përdorimit. Në lagjen “Kalabria”, edhe pse ndodhen dy nënkalime shumë qytetarë vazhdojnë ta kalojnë rrugën afër rrethrrotullimit pasi ankohen se nënkalimet ndodhen shumë larg. E ekspertët e komunikacionit theksojnë se mosmirëmbajtja e nënkalimeve është shndërruar në pasiguri për qytetarët.

Elda Islami

Edhe pse ekzistojnë dy nënkalime nga rrethrrotullimi te lagja “Kalabria” në Prishtinë për të dalë në rrugën “Kadri Zeka”, këmbësorët vazhdojnë të kalojnë rrugën te rrethrrotullimi,  pasi ankohen për largësinë e nënkalimeve.

Ata kërkojnë zgjidhje nga Komuna e Prishtinës për këtë çështje.

“Çdo ditë kaloj këtu. Nëse doni ta dini fajtorin për këtë kalim të parregullt, nënkalimi është ndërtuar 300-400 metra larg prej këtu. Njerëzit nuk po shkojnë atje, sepse stacioni i autobusëve është këtu afër. Komuna duhet ta legalizojë këtë pjesë, të vendosë një vendkalim me vija të bardha, si te çdo rrethrrotullim tjetër. Urgjentisht duhet të bëhet diçka, sepse askush nuk po i ndal qytetarët”, tha qytetari Rabit Mani.

Nënkalimi i cili ndodhet afër QKUK-së në “Kalabri” nuk shfrytëzohet shumë nga qytetarët pasi ai nuk mirëmbahet.

Problem tjetër te ky nënkalim është se qytetarët që kalojnë andej përsëri dalin në rrugë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë raportuar rreth 8 raste të aksidenteve të këmbësorëve në këtë pjesë.

Probleme me nënkalime nuk ka vetëm në lagjen “Kalabria”.

Një tjetër nënkalim, krejtësisht i pashfrytëzuar, ndodhet në afërsi të shkollës “Qamil Batalli”, në rrugën “Lidhja e Lezhës”.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, thotë se mosmirëmbajtja e nënkalimeve është shndërruar në pasiguri për qytetarët.

“Nënkalimet dhe mbikalimet duhet të jenë funksionale. Duhet të ketë kamera brenda tyre, sepse mund të përdoren për abuzim apo konsum të drogës. Është e nevojshme monitorimi nga policia apo komuna, si dhe gjobitje apo patrullime më të shpeshta, në mënyrë që këto hapësira të mos shndërrohen në tualete publike, siç ndodh aktualisht”, tha Ahmeti.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kur është pyetur për problemin e këtyre nënkalimeve nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje konkrete.

“Aty kemi ndërmarrë masa, mirëpo prapë duhet të vazhdojmë punën. I kemi edhe vijat të cilat e sigurojnë kalimin e qytetarëve, mirëpo ju kemi thënë që, përveç kalimit ekzistues, që është një projekt i kamotshëm të cilin qytetarët nuk e përdorin natyrshëm, e kemi projektin që jemi duke e zhvilluar një projekt më madhor i cili e zhvillon krejt atë zonë dhe e zgjidh problemin njëherë e përgjithmonë. Aty duhet të jetë një rreth i madh, faktikisht, që e lidh pjesën e Kodrës së Trimave me pjesën poshtë te Xhamia e Llapit. Jemi duke e krijuar edhe mbikalimin si rezultat i procesit të projektit të Tulltores, ku e kemi fituar edhe çmimin e parë në Evropë, dhe i cili tash është duke vazhduar të zhvillohet”, tha Rama.

Përveç mirëmbajtjes, ekspertët kërkojnë edhe instalimin e ashensorëve në nënkalime dhe mbikalime, në mënyrë që ato të jenë të qasshme për personat me karroca lëvizëse.