Arbëri

6 ditë pas përurimit, tuneli i Kurrizit i mbyllur shkaku i punimeve të papërfunduara

Një pjesë e asfaltit të saposhtruar ka pësuar dëmtime, teksa projekti nuk është realizuar ashtu siç iu pat prezantuar qytetarëve në vitin 2022. Përveçse ende nuk mund të kalojnë nëpër këtë tunel që më herët ka qenë i mbushur në shumë vende me mbeturina, qytetarë dhe banorë të lagjes përreth kanë shprehur ankesa se kundërmimi nuk është eliminuar me punimet e zhvilluara në të

Gjashtë ditë pas përurimit të bujshëm nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe nga zyrtarë të kabinetit dhe të partisë pjesë e së cilës është, tuneli në lagjen “Kurriz” të kryeqytetit ka mbetur i mbyllur për kalimin e qytetarëve.

Aty një pjesë e asfaltit të saposhtruar ka pësuar dëmtime, teksa projekti nuk është realizuar ashtu siç iu pat prezantuar qytetarëve në vitin 2022.

Përveçse ende nuk mund të kalojnë nëpër këtë tunel që më herët ka qenë i mbushur në shumë vende me mbeturina, qytetarë dhe banorë të lagjes përreth kanë shprehur ankesa se kundërmimi nuk është eliminuar me punimet e zhvilluara në të.

“Nuk është keq, mirë është punuar, por janë disa defekte. Tymi i lokaleve duhet të largohet. Përmbi nuk e di sa ndikon, pra a do të grumbullohet uji kur bie shi, se disa xhama këtu janë të thyer e ato nuk janë rregulluar”, është shprehur një qytetar që nuk ka dashur të identifikohet.

E një banor tjetër ka thënë se projekti nuk është realizuar në formën se si është prezantuar nga zyrtarë të Komunës dhe për këtë ai ka theksuar se duhen kërkuar sqarime nga kryetari Rama.

“Le ta shpjegojë kryetari ose ideatori se me çfarë logjike është një rrugë të jetë njëkahore dhe rruga nga shkolla ‘Xhemajl Mustafa’ po ashtu njëkahore në të njëjtin drejtim. Ndërsa nga Termokosi, deri te KEDS-i është dykahore. Le të na e shpjegojë. Shenjat e komunikacionit janë në mes të trotuarit. Vetëm le të na e shpjegojë logjiken, nëse e ka”, është shprehur ai.

Në Komunën e Prishtinës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me kritikat dhe sqarimet e kërkuara nga qytetarët lidhur me projektin.

E kritika nuk kanë shprehur vetëm qytetarët. Granit Geci, asamblist i Partisë Demokratike (PDK) në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se në këtë projekt punimet janë kryer ngutas, pasi që janë në afrim zgjedhjet lokale, të cilat janë caktuar që të mbahen më 12 tetor.

“Në momentin kur kanë filluar punimet, janë mirëpritur nga të gjithë qytetarët. Projekti i tunelit është shoqëruar me vonesa të shumta të përfundimit të punimeve. Gjatë punimeve janë manovruar disa punime që kanë qenë të parapara në projekt. Tashmë kemi prishje të asfaltit, nuk gjenden hapësirat publike dhe të përbashkëta të parapara në këtë tunel. Ka kundërmim dhe, siç duket, nuk po funksionon”, ka theksuar ai.

Në projektin e prezantuar gjatë tetorit të vitit 2022 është paraparë që në tunelin në “Kurriz” të hapen tualete publike, dyqane, kafene, si dhe një skenë lëvizëse. Kjo skenë është paraparë që të zbritej nga platoja e tunelit, në rastet kur organizohen koncerte.