Një person me inicialet E.A. është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin për veprën penale të mashtrimit, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar historinë e sëmundjes për të përfituar financiarisht, duke hapur edhe një llogari në platformën “GoFundMe” dhe duke kërkuar ndihmë nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë.
Përmes këtij aktiviteti, dyshohet se kishte grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.
Pas marrjes së informatave, Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishte ndërmarrë veprime hetimore, duke bllokuar paratë në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara dhe duke e shpallur të dyshuarin në kërkim policor.
Ai u arrestua më 21 nëntor, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Rasti po hetohet për veprën penale të mashtrimit, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Kosovës.