E parregulluar mbetet çështja e pagesës së punëtorëve të sigurimit fizik në shumë prej shkollave të Kosovës. Udhëheqësit e disa prej shkollave të cilat i ka kontaktuar KOHA, kanë treguar se prindërit e nxënësve e mbajnë vetë këtë barrë financiare, në pamundësi që këtë ta bëjnë komunat. Në Ministrinë e Arsimit thonë se kjo është përgjegjësi e komunave
Në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, nxënësit kontribuojnë me 4 euro në vit, në mënyrë që të paguhet sigurimi fizik i shkollës.
Xheladin Krasniqi, prind i një vajze në klasën e njëmbëdhjetë dhe kryetar i Këshillit Drejtues në këtë shkollë, tha se kanë vendosur të paguajnë vetë për sigurimin, në mënyrë që të ruhet mbarëvajtja e procesit mësimor.
Sipas tij, Drejtoria e Arsimit e Prishtinës nuk e ka në interes këtë çështje.
“Mendoj që ata kanë mundësi dhe kanë kapacitete për ta mbuluar këtë shërbim, mirëpo si duket, nuk është në interesin e tyre dhe si duket, kanë prioritete të tjera, të cilat për ne nuk janë edhe aq të rëndësishme sa është edhe vetë jeta e nxënësve dhe vetë procesi mësimor të zhvillohet në mënyrë të rregullt”, ka thënë Xheladin Krasniqi- prind.
E në kryeqytet, sigurimin fizik e paguajnë edhe prindërit e nxënësve në gjimnazin “Ahmet Gashi”, duke kontribuuar me nga 7 euro në vit. Drejtori i këtij gjimnazi, Haxhi Metaj, tha se sigurimi fizik ka parandaluar shumë probleme në shkollë.
Edhe
Komuna me standard të dyfishtë, nxënësit paguajnë vetë për sigurimin në shkolla
“Në shkollën tonë nuk mundet me hy as me dalë askush pa leje, kështu që natyrisht që është shumë më mirë, dhe kjo ka qenë edhe vendim i prindërve edhe Këshillit Drejtues të shkollës, edhe kështu kemi pak ose fare pak probleme, po sigurimi na ka ndihmuar shumë”, ka thënë drejtori i SHML “Ahmet Gashi”.
Për numrin e shkollave në të cilat prindërit paguajnë për sigurimin fizik dhe për arsyet e mosmbulimit të shpenzimeve për të, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, ka një javë që nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS.
E pagesa e sigurimit fizik nga prindërit është duke u bërë edhe në shumë shkolla të tjera të vendit.
Sipas informacioneve nga drejtoritë e arsimit, në Gjakovë, prindërit paguajnë sigurimin fizik në katër shkolla, në një në Lipjan, e në Prizren në disa të mesme.
Në Komunën e Mitrovicës nuk ka asnjë shkollë ku prindërit paguajnë, por Drita Kadriu, drejtoreshë e Arsimit, shpreh nevojën që të ketë sigurim fizik në shkolla.
“Në Komunën e Mitrovicës, në asnjë shkollë nuk kemi sigurime fizike (private që e paguajnë nxënësit), ndërsa kemi nevojë për rritjen e sigurisë gjithashtu. Kjo çështje duhet të shtrohet si problem në nivel vendi dhe të kërkohet zgjidhje”, ka thënë drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu.
Edhe
Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë e Gjilan futen në grevë
Në Ministrinë e Arsimit thonë se sigurimi fizik është përgjegjësi e komunave.
“Bazuar në Ligjin për Arsim parauniversitar, organizimi i procesit mësimor në nivelin parauniversitar është përgjegjësi e komunave ku në kuadër të këtij organizimi, parashihet edhe sigurimi i objekteve shkollore. Komunat kanë përgjegjësi për sigurimin e një ambienti të shëndetshëm, përfshirë ambient të sigurt për nxënësit dhe personelin, duke përfshirë sigurimin e shërbimeve të sigurta dhe sigurisë efektive”, ka thënë Ministria e Arsimit.
Disa komuna nuk kanë kthyer përgjigje për këtë problematikë, ndërkohë Komuna e Ferizajt ka njoftuar se që nga shtatori i vitit të kaluar, ka angazhuar sigurimin fizik në 13 shkolla të qytetit.