Mungesa e sigurisë në shkolla i ka detyruar prindërit e disa prej tyre në kryeqytet që të organizohen e të paguajnë vetë për sigurimin fizik, meqë Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nuk ka ndarë mjete. Në fakt, kjo drejtori disa prej shkollave në kryeqytet ua mbulon shpenzimet e sigurimit fizik. Këtë standard të dyfishtë, Drejtoria e Arsimit e ka arsyetuar me mungesë të buxhetit
Prishtinë, 3 mars - Prindërit e nxënësve në gjimnazin e shkencave natyrore “Ahmet Gashi” në kryeqytet kanë marrë për obligim të paguajnë për sigurimin fizik të shkollës.
Në mungesë të ndihmës nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, prindërit paguajnë nga 5 euro në vit, në mënyrë që të ketë siguri më të lartë në ambientin shkollor.
Drejtori i këtij gjimnazi, Haxhi Metaj, shpjegon se të liruar nga kjo pagesë janë nxënësit me asistencë sociale dhe ata të cilët kanë ndonjë vëlla apo motër në shkollë, paguhet vetëm për njërin.
“Është vendim i Këshillit Drejtues të shkollës dhe sigurimin e paguajnë nxënësit, do të thotë nxënësit paguajnë për një vit shkollor 5 euro, që nuk është ndonjë shumë e madhe për një vit shkollor. Natyrisht nxënësit që kanë probleme sociale janë të liruar, sikur edhe ata që kanë motër ose vëlla, pra paguhet vetëm për njërin, kështu që kjo po mjafton për të pasur sigurim në shkollë”, tha Metaj.
Ai thotë se nuk mund të presin derisa Komuna t’iu sigurojë mjete financiare, sikur shumë shkollave të tjera në Prishtinë.
Edhe
Në shumë komuna prindërit e paguajnë vetë sigurimin fizik në shkolla
Njëjtë si shkolla “Ahmet Gashi” veprojnë edhe disa shkolla të tjera në kryeqytet. Drejtori i shkollës “Xhevdet Doda”, Azem Jaha, thotë se kjo ndodh meqë Komuna nuk po e bën një gjë të tillë.
Nxënësit në këtë shkollë paguajnë 6 euro.
“Me Këshillin e Prindërve e kemi marrë vendimin që të paguhet një sigurim fizik për shkollën për të rritur sigurinë, pasi Komuna nuk po e bën një gjë të tillë. Prindërit paguajnë një herë në vit një shumë prej 6 eurosh”, tha Jaha.
Por trajtim ndryshe kanë disa shkolla në kryeqytet. Në Gjimnazin e Specializuar Matematikor, Komuna paguan për sigurimin fizik të shkollës.
Drejtori i kësaj shkolle, Shemsi Berisha, ankohet se kjo është e pamjaftueshme pasi stafi i sigurimit dhe ai i punëtorëve teknikë është shumë i vogël.
Edhe
Ekspertët i vlerësojnë të pamjaftueshëm “oficerët e sigurisë” në shkolla
“Mendoj se është e papranueshme që në një numër të shkollave prindërit paguajnë për sigurimin. Në shkollën tonë sigurimi paguhet nga Komuna, por që stafi është i vogël për t’u kujdesur për numrin e nxënësve që kemi”, u shpreh Berisha.
Vetëm vitin e kaluar janë raportuar gjithsej 413 incidente të ndryshme në shkolla në nivel vendi. Policia e Kosovës tregon se 116 raste kanë qenë me lëndime trupore.
Në shkollat “28 Nëntori”, “7 Shtatori” e “Ismail Qemali” nuk ka fare sigurim. Këtë detyrë e kryen personali i shkollës.
Sipas ekspertit të arsimit, Rinor Qehaja, mospërkrahja dhe neglizhenca e institucioneve kanë ndikuar që siguria në shkolla të mbetet në nivel të ulët.
Edhe
Shkollat e Prishtinës denoncuan 99 nxënës në Polici për një vit
"Është evidente që në shkollat tona mungon siguria, ka shkolla që na kanë dëshmuar të kundërtën, por gjithë ato kryesisht me vetë-iniciativë, jo që ka diçka të strukturuar brenda sistemit që do t'u ofronte përkrahje, qoftë në siguri të rritur brenda shkollës, qoftë në mekanizmat e tjerë”, tha ai.
Mosmbulimin e shpenzimeve për sigurimin fizik në të gjitha shkollat, nga Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, e kanë arsyetuar me mungesën e buxhetit.
“Drejtoria Komunale e Arsimit është e përkushtuar ndaj parandalimit të dhunës në shkolla dhe do të ndërmerren aktivitete përkatëse bashkërisht me partnerët implementues për shndërrimin në aktivitete të Plan-veprimit. Disa institucione edukative-arsimore nuk kanë sigurim fizik, duke e ditur se ka pasur limit buxhetor dhe nuk kanë mundur të rekrutohen si staf i organizatës buxhetore”, thuhet në përgjigjen e kësaj drejtorie.