Arbëri

Në Ditën e Punëtorëve, qytetarë të shumtë festuan në Gërmi

Parku i Gërmisë si zakonisht ishte edhe këtë vit vendi ku shumë qytetarë kanë zgjedhur për ta kaluar ditën e për të festuar Një Majin. Ata thanë se në këtë ditë është e arsyeshme edhe të festohet, por edhe të protestohet për të drejtat e punëtorëve

Qytetarë të shumtë kanë dalë në Parkun e Gërmisë për shënimin e Ditës së Punëtorëve.

Me piknik, lojëra e valle kishin zgjedhur të festonin këtë ditë, ndonëse në shumë vende shënohet me protesta e kërkesa për të drejtat e punëtorëve.

Flamur Gjekaj thotë se 1 Maji për të është bërë festë tradicionale.

“Mendoj që 1 Maji duhet të festohet, por është Dita e Punëtorëve, thjesht dalim për qejf, për t’u shëtitur, ka mbetur thjesht si traditë”, ka thënë Gjekaj.

Edhe qytetarë të tjerë që kishin zgjedhur që të hënën ta kalonin në Parkun e Gërmisë, e shohin të arsyeshme që në këtë ditë të festohet.

“Kjo është ditë e punëtorëve, disa po e festojnë, disa protestojnë. Gjithmonë kanë protestuar, por tashmë po festojnë”, ka theksuar Zeqir Krasniqi.

Ndërsa një qytetar tjetër ka thënë se kush do le të protestojë e kush do le të festojë.

“Ata që duan të protestojnë le të protestojnë, ata që duan të festojnë le të festojnë, e thjeshtë është”, ka deklaruar ai.

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i automjeteve për në Gërmi, përveç banorëve të lagjeve ”Normale", ”Sofalia”, ”Taukbahçe” dhe restoranteve që janë në këtë park.

Një Maji apo Dita Ndërkombëtare e Punës është festë zyrtare në Kosovë.