Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

1 Maji

Do të më falni për zgafellen e sotme. Teksti i ngjet një CV-je jashtë formatit. Por është një përmbledhje paksa kaotike e 40 vjetëve punë të ngjeshura në pak më shumë se dy “shllajfne”. Është më shumë një shenjë, për t’ua kujtuar kësaj shoqërie dhe të gjitha pushteteve të pasluftës se njerëzit që i plotësojnë kushtet për pensionim, NUK kanë sistem që do t’i përkrahë për aq sa do të kenë jetë

Qe viti kur Çernobili u bë vendi më i njohur në botë. Nuk e besoj që dikush përtej Bashkimit të atëhershëm Sovjetik do të ketë dëgjuar për këtë vend nja dymijë kilometra larg Prishtinës. Pakkush do të ketë ditur më shumë për centrale bërthamore, edhe pse ajo e Kërshkos, në Slloveni, kishte nisur punën disa vjet më parë.

Po i shijonim ditët e lulëzimit të bagremëve në Kosovën që kishte pushtet të konsoliduar sikurse edhe ekonominë që kishin përmirësuar dukshëm nivelin e jetesës së përgjithshme. Nuk do të zgjaste edhe shumë kohë kjo “idile”. Sikurse nuk do të zgjaste edhe përpjekja ruse për ta fshehur shpërthimin katastrofal bërthamor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pasi ndotja kishte kaluar në Suedi, ku nivelet e radioaktivitetit ishin regjistruar me pajisje të sofistikuara të kohës, BRSS pas dy ditësh bëri të ditur, nëpërmjet agjencisë së lajmeve TASS, se kishte ndodhur një incident bërthamor në vendin e quajtur Çernobil. Kaq.

Mbaj mend si nëpër mjegull, se lajmi në TV ilustrohej me fotografi të centralit në gjendje normale. Shumë më vonë do të na tregoheshin pamjet e godinave të shkatërruara, e tepër shumë më vonë do të merrnim vesh për përmasat e dëmit që kishte shkaktuar rrezatimi.

Pesë ditë pas shpërthimit, në Kosovë po festohej 1 Maji (ishin dy ditë pushimi zyrtar), me djegien tradicionale të gomave në Gërmi (që tregon se sa të marrë jemi – tym të zi në vendin e vetëm që jep oksigjen) dhe me vërejtjen që na përcillej herë në radio e herë në televizion: “mos e blini grurin e Bullgarisë, se është i rrezatuar”. Ndërkohë që gjithçka që prodhohet në vend, mund të blihet dhe të hahet. Se cili qe kriteri i përcaktimit të rrezatimit, nuk e morëm vesh kurrë.

* * *

1 maji i 1986-s kishte qëlluar e enjte, për pasojë pushohej edhe të premten. Për shumë familje kosovare, ishin katër ditë që mund të lidheshin për t’i shijuar bile dy ditë në pushimoren kosovare në Kamenovë. Atje sagllam s’ka pasur rrezatim, se garant kripa e detit e ka eliminuar. Për mua, kjo ditë ishte, në letër, dita e parë e punës me “Vendim për themelimin e marrëdhënies së punës në cilësinë e praktikantes” (atëherë nuk kemi pasur kontrata) dhe kjo falë një aksioni për punësimin e të diplomuarve të rinj, që kishin vështirësi për të gjetur punë.

Mua më sistemuan në një organ administrate sui generis, që ka ekzistuar vetëm në ish-Jugosllavi, dhe është quajtur Bashkësia Vetëqeverisëse e Interesit (në rastin tim Krahinore për punësim) – ku edhe ishim edhe nuk ishim të pavarur në punën që kryenim. Të gjithë kishim “referate” (pra përshkrime vendesh pune), por jo të gjithë kishim punë njësoj.

BVI-ja ma mësoi gjeografinë e Kosovës – i pata mësuar emrat e të gjitha fshatrave të Anamoravës dhe një pjese të Dukagjinit e Drenicës - as pa e ditur se si mbërrihej te to – ishin vendlindjet e punëtorëve stinorë që punonin në Zvicër; më mësoi, profesionalisht, se si një nen, mbase qëllimisht i shkruar gabim, shndërrohet në skemë mashtrimi e përvetësimit të paligjshëm të rrogave të punëtorëve në Libi; ma vërtetoi se në Kosovën e vogël, shumica ishte ajo që diskriminohej dhe më zbuloi se si një qenie njerëzore mund të shndërrohet në tepricë teknologjike.

* * *

Masat e dhunshme serbe më lanë pa punë, por jo edhe pa zbulimin e ndonjë prirjeje që do të ma mundësonte mbijetesën. Në këtë periudhë e zbulova thënien “më mirë puno pa pare, sesa që rri pa pare”, punë e cila, nga ana tjetër ma mundësoi njohjen me termin “freelancer”, që tybe nuk e kam ditë as çfarë domethënie ka pasur. Prej zorit ishim bërë të tillë, duke punuar pa kontrata, të paguar me orë a me ditë dhe duke u marrë me gjëra edhe jashtë profesionit. Nuk ishin kohë për të zgjedhur punë.

Dy vjet i kalova vullnetare në KMDLNJ dhe mësova shumëçka për profesionalizmin, sakrificën e solidaritetin në kushte okupimi. Mësova se as në këtë periudhë nuk ishim të gjithë të barabartë – sepse Fondi 3% me ngulm e shmangte aktivitetin e organizatës më të besueshme që raportonte për shkeljen e të drejtave të njeriut. Kur duhej marrë pjesë në Komisionin apo Komitetin e të Drejtave të Njeriut në OKB, duhej udhëtuar me bileta të falura nga ndonjë mik e duhej fjetur në zyrat e Ministrisë së Informimit apo te familjarët përtej Atlantikut. Kjo natyrisht nuk vlente për LDK-në – ajo aty e kishte një status special.

Në vitin e parë të punës në KMDLNJ plasi lufta në Kroaci. Në të dytin, në Bosnjë. Dhe kjo e dyta, sado e rëndë, ma mundësoi sërish punësimin me kontratë.

* * *

Zyra e parë ndërkombëtare e hapur në Kosovë qe ajo e CSCE-s (OSBE-së së sotme), e menjëherë pas saj edhe ajo e ICRC (Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq) që të dyja më 1992. E treta (e para e OKB-së në Kosovë) qe UNHCR (Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë) në mars 1993. Dikush nga të huajt me të cilët kishim kontakte thuajse javore në KMDLNJ, më kishte referuar te suedezi që do ta hapte zyrën në Prishtinë. “S’kemi tjetër pos një posti administrativ”, më tha, “je e tejkualifikuar për atë vend pune”. “Ta sjell diplomën e shkollës fillore – a më bën mjaftueshëm në kualifikuar”, ia ktheva.

Në këtë organizatë e kuptova se jo të gjithë jemi të barabartë – përderisa mua më mbanin me kontratë që zyra e Beogradit ma përtërinte çdo muaj, kolegun nga Beogradi me “punë të përkohshme në Prishtinë” e shpërblenin me gradë më të lartë dhe kontratë vjeçare.

Aty e kuptova për shëmtinë e luftës dhe sa mizoritë mund t’i evidenconte ajo. Mësova nga një kanadez dhe një holandez – që të dy të ngarkuar me mbrojtjen e refugjatëve dhe rivendosjen e tyre në shtete të treta, se çfarë dallimi e bën puna me pasion.

Viktima e parë të cilën më udhëzuan ta intervistoja për të parë nëse i plotësonte kushtet për zhvendosje në Perëndim, ishte një vajzë 6-vjeçare bonjake – e mbijetuar e ekzekutimit në masë – me mbi 20 vragë që ia kishin lënë plumbat nëpër trup.

* * *

Lufta më zuri në UNICEF, ku kisha nisur punën më 1995. Fshatrat të cilave ua kisha mësuar emrat në BVI u bënë pjesë e udhëtimeve të përditshme në terren, kryesisht në mbledhjen e shënimeve për gjendjen e fëmijëve dhe grave, por edhe për vaksinim, për ndihmë humanitare e mjekësore dhe shkollim.

Aty do ta mësoja se të bashkuar jemi më të fuqishëm; se edhe me pak mund të bësh shumë; se në luftë bëhesh trim-budallë dhe se krejt çka bën, e bën pse e do Kosovën shumë, shumë. Edhe këtu e kuptova, edhe njëherë, se nuk jemi të gjithë të barabartë. Të ishe vendas, nuk të kualifikonte për ta udhëhequr sektorin, pavarësisht se falë koordinimit të vendases, Kosova ia doli t’i rehabilitonte krejt objektet shkollore të dëmtuara në luftë, pa u bërë viti nga fundi i luftës.

* * *

Shtrohej pyetja: a do të mundnin vendasit të bënin rindërtim e zhvillim në zonat e varfra të Kosovës (që s’ishte zor të gjendeshin, por që nuk kishte para për të gjithë) me tenderë e mbikëqyrës terreni sipas rregullave të Bankës Botërore. Përgjigjja ishte po, me kusht që e mban emrin anglisht (Community Development Fund - CDF) që në terren njihej si organizatë gjermane, zvicerane, amerikane... krejt, veç kosovare jo. Aty mësova se sa lehtë është të vendosësh standarde edhe të çmimeve e edhe të cilësisë. Dhe t’i respektosh e mbash ato gjithashtu është lehtë – me kusht që nuk e ke për qëllim të vjedhësh edhe vetëm nëse ke etikë.

* * *

Dhe etikën dhe profesionalizimin e dija se do ta gjeja në mesin e ekipit të madh të KOHËS, kur para më shumë se 21 vjetësh e mora nën udhëheqje. Aty mësova se përkushtimi dhe gazetaria e njëmendtë nuk blihen me para, as me tenderë, e as me shantazhe. Aty mësova se profesionistët e njëmendtë janë në gjendje ta sakrifikojnë kohën dhe rehatinë e tyre për ta çuar në vend lajmin e vërtetë. Aty mësova shumë gjëra, e më shumë se unë mësuan lexuesit dhe shikuesit e KOHËS. Dhe, aty mësova t’i shkruaj zgafellat javore.

* * *

Do të më falni për zgafellen e sotme. Teksti i ngjet një CV-je jashtë formatit. Por është një përmbledhje paksa kaotike e 40 vjetëve punë të ngjeshura në pak më shumë se dy “shllajfne”. Është më shumë një shenjë, për t’ua kujtuar kësaj shoqërie dhe të gjitha pushteteve të pasluftës, se njerëzit që i plotësojnë kushtet për pensionim, NUK kanë sistem që do t’i përkrahë për aq sa do të kenë jetë.

Po të ishte ligji i Kosovës socialiste në fuqi, më 1 maj 2026, do t’i mbushja kushtet për pensionim. Do të më takonte 80% e dhjetë vjetëve më mirë të paguara, dhe do të llogarisja në rritjen e kohëpaskohshme të pensionit, varësisht nga shkalla e inflacionit. Me të, do të mund ta kisha një pjekuri, për të mos i thënë pleqëri, të dinjitetshme.

Ky do të jetë viti në të cilin Kosova do të hyjë në histori, sepse sjellja e këtij brezi politikanësh të papjekur dhe egoistë, më bën të besoj se zgjedhjet e qershorit nuk do të jenë të vetmet që do t’i kemi sivjet.

Çernobil nuk kemi, por e kemi Obiliqin, ndotjen e lumenjve dhe bërllokun e Prishtinës që sa nuk na ka mbuluar – dhe më mirë na e qet nëse e importojmë drithin prej Bullgarisë, se nuk kemi nge as për punë e as për përkrahje të bujqësisë.

Aq të topitur jemi, sa që më 1 Maj nuk protestojmë. Mbase pse na e kanë ndaluar kalljen e gomave në Gërmi.

Shumë më ndryshe e kam paramenduar këtë ditë.

[email protected]