Ambasadori gjerman pas miratimit të ligjit për KPK-në dhe KPM-në: U injoruam
Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka injoruar rekomandimet e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për projektligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur për Media, të cilat u miratuan të enjten nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend.
Rohde ka konsideruar për Kosovën “çdo mundësi e humbur është shumë”.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet evropiane. BE-ja, KiE-ja dhe OSBE-ja kanë dhënë rekomandimet e tyre për ligjet, por janë injoruar...”, ka shkruar ambasadori në “X”.
Szunyog: Kuvendi i Kosovës humbi mundësinë t'i kishte dy ligje të mira
Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se Kuvendi i Kosovës ka humbur mundësinë që t’i ketë dy ligje të mira, duke thënë se dështoi t’i përfshinte rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare në Ligjin për Këshillin Prokurorial (KPK) dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM).
Szunyog ka shkruar në rrjetin social X se ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së, por edhe me “sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve”.
Edhe
AGK pas miratimit të ligjit për KPM-në: Qeveria goditi lirinë e medias sot
“Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t'i adresojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet evropiane. Lidhur me projektligjin për zyrtarët publikë, i bëj thirrje Kuvendit që t'i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që ai t’i përmbushë standardet e BE-së dhe ato evropiane”, është shprehur ai.
Zyra e Bashkimit Evropian ishte shprehur se është për keqardhje që s'janë marrë parasysh rekomandimet e saj për këto ligje.
Sipas reagimit, rekomandimet e BE-së për Ligjin për KPM-në dhe KPK-në synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.