Arbëri

Murati - Tahirit: Me PAN-in pensionet për veteranët janë rritur zero euro

Hekuran Murati

Hekuran Murati

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i ka reaguar atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pasi ky i fundit tha se VV-ja ka propozuar tre kandidatë që mbajnë “rekord të zi” kundër UÇK-së. 

Murati ka thënë se herën e fundit kur PDK-ja ka qeverisur gjatë viteve 2017–2020, ”pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro”. Ndërsa, ka shtuar se më 2014-17 familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës s’u lidhën me pagën minimale. 

“Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar.

Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon se sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë”, ka shkruar Murati në Facebook. 

Tahiri ka thënë se në një postim në Facebook se Murati ka përjashtuar nga paga minimale tri kategori: veteranët, familjen e dëshmorëve dhe invalidët e UÇK-së.