Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të bërë në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.
Në një reagim ata kanë thënë se Kurti ka folur për rritje të pensioneve dhe pagave, por “edhe kësaj radhe nuk ka përmendur fare pensionet e veteranëve të luftës”.
“Në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Qeveria në detyrë po mundohet të krijojë përshtypje mashtruese me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa buxhet të miratuar nga Kuvendi. Por edhe në këtë tentativë për mashtrim të qytetarëve, ku u përmendën të gjitha kategoritë shoqërore, veteranët e luftës së UÇK-së u anashkaluan sërish qëllimisht”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
OVL-ja ka kërkuar nga çdo qeveri që vjen që pensionet e veteranëve të përfshihen në rritjen e pagës minimale.
“Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit. OVL UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”, thuhet në reagim.
