Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse të dielën nuk do të arrihet një dakordim nga partitë politike për ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale.
Pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, OVL e UÇK-së ka bërë thirrje për protestë para Kuvendit, ndërsa ka kërcënuar se nëse as të dielën s’ka lëvizje, nga e hëna do të ketë përshkallëzim veprimesh.
Organizata e veteranëve e ka akuzuar Kurtin për “kalkulime politike” e “lojëra politike e procedurale”.
“Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit. Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurt, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës. Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel. Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre. Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës. Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi”, thuhet në reagim.
Të premten, Qeveria procedoi në Kuvend ndryshimet e iniciuara nga PDK-ja në Ligjin për Gjykatën Speciale. Të shtunën nuk pati lëvizje nga institucionet, ndërsa më 6 tetor mbyllet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Kurti e takoi sot Hamzën, i cili pas takimit përsëriti kushtin që për të zgjedhur presidentin, PDK-ja do t’i ofrojë votat vetëm nëse paraprakisht miratohen ndryshimet në ligj.
Propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale përmban dispozita që synojnë t’ia kufizojnë mandatin lëndor, edhe kohor e edhe territorial kësaj gjykate me seli në Hagë.
Edhe
OVL-UÇK paralajmëron protesta, s’e përjashton përshkallëzimin
Ligji në fuqi i jep kompetencë gjykatës të vendosë mbi veprat penale të kryera mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000. Por, me ndryshimet e propozuara, synohet të kufizohet juridiksioni në vepra të kryera vetëm pas luftës – nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
Nisma për ndryshimin e ligjit pasoi dënimin në shkallë të parë për krime lufte të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 dhe Rexhep Selimit me 13 vjet. Të dënuarit kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin.
-
Numërimi drejt fundit: Zgjedhje të reja apo president
-
Kurti: Në rrethanat e reja, shteti më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve
-
OVL e UÇK-së kërkon të mos zvarritet ndryshimi i Ligjit për Specialen
-
OVL e UÇK-së kërkon të mos zvarritet projektligji për ndryshim të Ligjit për Specialen