Në listën e përfituesve të pensionit të veteranit të luftës në tetor të këtij viti figurojnë 165 persona më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Në Ministrinë e Financave nuk i kanë dhënë arsyet për rritjen e numrit. E, juristë dhe përfaqësues të veteranëve të UÇK-së kritikuan Qeverinë për mungesë veprimesh për pastrimin e listave nga veteranët e rrejshëm.
165 persona i janë shtuar listës së përfituesve të pensionit të veteranit të UÇK-së nga tetori i vjetëm e deri tek i sivjetshmi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, me pension prej 204 eurosh, në fund të tetorit u paguan 37.094 persona dhe totali i pagesës për këtë muaj është 7.5 milionë euro.
Në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për arsyet mbi të cilat u rrit numri i veteranëve.
Avokati Xhevdet Smakiqi kritikoi Qeverinë Kurti dhe tha se për gati 5 vjet nuk është ndërmarrë asnjë veprim për pastrimin e listave të veteranëve nga ata të rrejshmit.
“I mbetet një qeverie të ardhshme serioze që ta bëjë këtë dhe është detyrim moral e kombëtar e sidomos kushtetues e juridik që veteranët e vërtetë të përfitojnë kompensimin, ndërkohë që veteranët e rrejshëm jo vetëm që të hiqen nga lista por të gjendet mënyra të detyrohen t’i kthejnë ato para që i kanë marrë në mënyrë të kundërligjshme”, tha Smakiqi.
Kryeministri në detyrë e kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale ka premtuar se do të bëhen ndryshime në ligj, në mënyrë që të hiqet kufizimi i cili ua ndalon veteranëve të drejtën në pension po qe se ata punësohen.
Por në Ministri nuk kanë dhënë shifra se sa persona aktualisht nuk e marrin pensionin për shkak se janë të punësuar dhe se si ky ndryshim ligjor do të mund ta ndikonte buxhetin, nëse nuk pastrohen listat paraprakisht.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se ky premtim i Vetëvendosjes u bë për fushatë zgjedhore.
“Ky është shumë dëm për ne që veteranët tanë punojnë në të zezën në Kosovë. Duhet të punojnë nëpër firma të ndryshme, pa letra, pa sigurim, pa trust pensional, vetëm për arsye që të mos u ndalet pensioni. Me keqardhje për çdo veteran që punon në të zezën sepse ne po shohim që çdo ditë po ndodhin aksidente në punë”, deklaroi Gucati.
Neni 16 i Ligjit për Veteranët e UÇK-së përcakton se veteranët që janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit.
Ky ligj u ndryshua më 2017, por në fuqi mbeti udhëzimi administrativ që definon se për të qenë përfitues i pensionit të veteranit luftëtar, nevojitet vërtetimi nga ATK-ja që nuk është në marrëdhënie pune.
Avokati Smakiqi thotë se kjo normë është bërë e pavlefshme, me vendim të Gjykatës Supreme.
“Gjykata Supreme ka nxjerrë një aktgjykim në një rast ku i është dhënë të drejtë veteranit të UÇK-së që të mund të punojë dhe ta marrë kompensimin. Pra, mbi këtë praktikë gjyqësore, konsideroj se të gjithë veteranët mund të punojnë dhe mund ta marrin kompensimin”, tha Smakiqi.
Edhe Gucati kërkon që kjo praktikë gjyqësore të përcillet edhe me ndryshime ligjore.
“Ligji sa më parë duhet të aprovohet që tu lejohet veteranëve edhe të punojnë edhe ta shfrytëzojnë pensionin. Kjo është ajo që duhet të bëjnë dhe kërkesa jonë e parë secila qeveri që vjen ne do të kërkojmë vetëm të aprovojmë ligjin asgjë tjetër vetëm kjo na intereson”, deklaroi Gucati.
Në vitin 2023, Kuvendi vendosi që pensioni i veteranit të shkëputej nga rritja e pagës minimale, në lartësinë e së cilës ishte e përcaktuar me ligj.
Kryeministri Albin Kurti pati propozuar që krahas kësaj të bëhej një ligj me të cilin do të niste një proces të vlerësimi dhe verifikimi i të gjithë pjesëmarrësve të luftës çlirimtare. Por, ai s’u bë gjatë mandatit gati 5-vjeçar.
Për mbi 37 mijë veteranët, shteti shpenzoi rreth 90 milionë euro këtë vit.