Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndryshimi i Ligjit për veteranët nuk përfshihet në programin legjislativ të Qeverisë

Qeveria Kurti 3 - 20 shkurt

Foto: Driton Paçarada

Heqja e kufizimit të punësimit për veteranët ishte proklamuar si prioritet në mandatin e ri, por ndryshimi i ligjit nuk është përfshirë në agjendën legjislative. Programi legjislativ 2026-2028 parashikon 174 projektligje, nga të cilat këtë vit Qeveria synon t’i procedojë 143 për miratim në Kuvend

Ndryshimi i ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët e luftës së UÇK-së nuk është përfshirë në agjendën legjislative të Qeverisë, ani se ishte premtuar se do të jetë në mesin e pesë vendimeve të para të qeverisë “Kurti 3”.

Megjithatë, programi legjislativ që përfshin periudhën 2026-2028 i ka të planifikuara për miratim 174 projektligje. Nga to, vetëm këtë vit, ekzekutivi synon t’ia procedojë Kuvendit për miratim 143 sosh.
Në pjesën e parë të vitit, Qeveria ka në plan t’i procedojë disa nga projektligjet që nuk arriti t’i kthejë ligje as për gati 5 vjet mandat.

Deri në fund të marsit, planifikon ta dërgojë në Kuvend për miratim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e deri në fund të prillit edhe atë për çmimet tavan.
Brenda kësaj periudhe kohore, pos Byrosë, Ministria e Drejtësisë do ta sponsorizojë edhe Projekt Kodin Civil, Ministria e Punëve të Brendshme Projektligjin për Gjendjen Civile e ajo e Shëndetësisë Projektligjin për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, për të cilët nuk pati vota të mjaftueshme në legjislaturën e tetë edhe pse koalicioni qeveritar numëronte mbi 61 deputetë.
Në programin legjislativ të Qeverisë parashihet që deri më 31 tetor, Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike t’ia dorëzojë Kuvendit Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Edhe në këtë mandat, Ministria e Financave e ka në plan themelimin e Bankës Zhvillimore, por ky projektligj më së largu do t’i dorëzohet Kuvendit në mes të 2027-s.

Nga 12 ligjet që në janar i rrëzoi Gjykata Kushtetuese për shkak të paligjshmërisë në ndjekjen e procedurave për miratimin e tyre, katër nuk janë fare në agjendë legjislative.

Edhe Kurti premton pagë të 13-të me ligj, planifikon edhe atë të 14-tën Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë Kurti premton pagë të 13-të me ligj, planifikon edhe atë të 14-tën

Të tjerat janë të planifikuara tek pas mesit të këtij viti, përfshirë edhe Ligjin për lojërat Mesdhetare, ndonëse në Qeveri ishin ankuar për vonesë nga Gjykata në trajtimin e tij.

Përgjegjësinë për përgatitjen e numrit më të lartë të projektligjeve e ka Ministria e Financave - 29 sosh e pasuar nga ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 19.