Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muja: Rikthimi i Osmanit s’i sjell ndryshim LDK-së, gjasat për presidente minimale

Basri Muja

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka vlerësuar se rikthimi i Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh apo rritje të dukshme për këtë subjekt politik në rezultatin zgjedhor të 7 qershorit dhe se gjasat që Osmani të zgjidhet presidente janë minimale.

Sipas Mujës, LDK-ja aktualisht nuk ka kauzë të qartë politike që do të mund të krijonte “sinergji pozitive” tek elektorati, ndërsa rikthimi i Osmanit lidhet më shumë me ambiciet e saj politike sesa me projekt të ri për partinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai ka vlerësuar se Osmani ka obligim politik ndaj elektoratit të LDK-së për të shpjeguar largimin e saj nga partia në vitin 2021 dhe arsyet e afrimit të ri në vitin 2026.

“Nuk pres që në LDK të ketë një rritje të madhe, nuk pres që do të ketë një sinergji pozitive sepse nuk ka kauzë. Kthimi i znj. Osmani, kauza e saj e vetme është pozita e presidentit... Znj.Osmani së pari ua ka borxh elektoratit të LDK-së t’i tregojë se çka ka ndodhur në vitin 2021 kur ajo i braktisi ata, e edhe çka ka ndodhur tani më 2026, kush ka ndryshuar. Gjasat janë minimale, për të mos thënë kurrfarë, që ajo do të zgjidhet presidente sepse një parti me 13 për qind është joserioze që të ketë kandidat për president dhe për kryeministër”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Muja ka kritikuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për rezultatet e dobëta zgjedhore dhe në procesin e brendshëm partiak, duke vlerësuar se fati politik i tij tashmë është lidhur me këtë afrim me Osmanin.

Ai ka kritikuar edhe renditjen e kandidatëve në listën zgjedhore të LDK-së, duke e quajtur të pakuptueshme lënien jashtë dhjetëshes së parë të emrave si Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami.

“Nuk është e lehtë t’i shpjegohet një votuesi të LDK-së pse figura që kanë mbajtur poste të larta dhe nuk kanë pasur afera janë lënë pas, ndërsa njerëzit që janë rikthyer pas një ekskursioni pesëvjeçar kanë marrë pozitat kryesore”, ka deklaruar Muja.
Muja ka komentuar edhe zhvillimet në Partinë Demokratike të Kosovës, duke vlerësuar se kjo parti duhet të ofrojë figura të reja dhe një program të ri politik.