Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja hap dyert për Osmanin dhe thërret për bashkim të së djathtës

LDK - Lumir Abdixhiku

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Në LDK është shprehur pritja për rikthimin e Vjosa Osmanit në këtë parti e edhe për bashkim të së djathtës. Por, në ditën kur është thënë kjo, eksponentë të LDK-së theksuan se hendeku mes partisë dhe votuesit është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë

Lidhja Demokratike (LDK) ka shprehur synimin për kthimin e të gjithë anëtarëve të saj që i janë larguar, me fokus ish-presidenten Vjosa Osmani.

Sekretari organizativ i kësaj partie, Visar Azemi, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të Osmanit, e cila ka prishur raportet me Vetëvendosjen, prejse nuk i është garantuar mandati i dytë si presidente.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“LDK-ja synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK, sepse e djathta duhet të bashkohet, pasi ka pasur një proces i cili ka qenë i dëmtuar në proceset e mëparshme dhe po kështu po synojmë që ta unifikojmë partinë ashtu siç ka qenë LDK-ja gjithherë”, ka thënë ai, në një konferencë shtypi.

Osmani, sa ishte ende presidente, pati paralajmëruar kthimin në garën politike nëse nuk do të propozohej edhe për një mandat në krye të shtetit.

Ajo ndërkohë nuk e mori mbështetjen e asnjë partie për të qenë sërish presidente.

Në muajin e fundit para dorëzimit të mandatit, e edhe pasi ka përfunduar mandatin, ajo ka vazhduar turin e takimeve me qytetarë, në komuna gjithandej Kosovës. Deri tash, nuk ka deklaruar nëse do të rikthehet në LDK ose do të formojë subjekt të ri politik, meqë subjekti të cilin e kishte themeluar pas largimit nga LDK-ja, partia Guxo, tani bashkudhëhiqet nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, që mbeten partnerë të Kurtit.

Analisti politik, Artan Alijaj, ka thënë se nëse ish-presidentja Osmani kthehet në LDK, atëherë gjasat që të arrihet ndonjë marrëveshje për presidentin mes kësaj partie dhe LVV-së janë zero.

“Tashmë diskutimi kryesor që është bërë ose potenciali kryesor që mund të arrihet është eventualisht një marrëveshje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kemi parë që me partitë e tjera LVV-ja fare nuk ka komunikim. Realisht ndoshta pikëpyetje është edhe e ardhmja e Osmanit. Sot pamë sërish deklarimin e LDK-së që i hapën dyert Osmanit. Nëse ajo kthehet në LDK, gjasat që të arrihet një marrëveshje me Vetëvendosjen janë zero. Nuk do të ketë më asnjë interes të ketë një marrëveshje”, ka thënë Alijaj.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai ka thënë po ashtu se në rast se Osmani kthehet në LDK, kësaj partie do të mund t’ia kthente rezultatin që e kishte në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar.

E në rast se nuk do të ketë marrëveshje për çështjen e presidentit dhe vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, analisti Alijaj thotë se LVV-ja do të jetë sërish e para, Partia Demokratike e Kosovës e dyta dhe LDK-ja e treta.

“Kyçja e Osmanit në LDK do të mund t’ia kthente kësaj partie rezultatin që e kishte në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar. Nuk mund ta anashkalojmë faktin që deri në vitin 2021, Osmani ishte më e votuara në vend. Në këtë rast mendoj që definitivisht është një kredit për opozitën nëse do të shkohej në zgjedhje. Nuk e shoh larg mendsh as mundësinë që nëse shkohet në një proces zgjedhor të ketë prapë bisedime me kryeministrin Kurti për qeverisje të përbashkët. Asaj nuk i dihet. Megjithatë zgjedhjet nuk janë zgjidhje, veçanërisht për LVV-në. Një gjë mund ta themi me siguri të plotë që LVV-ja do të jetë sërish e para, PDK-ja e dyta e LDK-ja e treta”, është shprehur Alijaj.

E të mërkurën, LDK-ja ka publikuar përbërjen e re të Kryesisë. Aty mungojnë deputetë e ish-deputetë të saj.

Jashtë listës është lënë edhe Arben Gashi, deputet në disa legjislatura, por jo në këtë aktuale. Ai ka thënë se partisë i nevojitet një drejtim i ri për të kthyer besimin e votuesve.

“Hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, është pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë. Një cikël politik ka përfunduar. LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike”, ka thënë Gashi.

Në listë mungojnë edhe disa anëtarë të kryesisë së kaluar, si: Xhafer Tahiri, Vlora Dumoshi, Florian Dushi, Besa Gaxherri, Rrezarta Krasniqi, Muhamet Hamiti, Imri Ahmeti e Driton Selmanaj.

Aty nuk figurojnë as dy deputetet e reja nga LDK-ja, Adelina Thaqi dhe Janina Ymeri.

Por anëtari i Kryesisë, Azemi ka thënë se kjo listë do të plotësohet në ditët në vazhdim, pa përmendur emra se kush do të futet aty.

“Mos e merrni si diçka përfundimtare. Ka me vazhdu lista e kryesisë së LDK-së me u përmbushë edhe me emra të tjerë dhe së shpejti ndoshta kemi me pasë një listë përfundimtare”, ka thënë ai.

Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken.

LDK-ja ka fituar pak mbi 13 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe ky është rezultati i dytë më i dobët i partisë pas atij të vitit 2021, kur ra nën 13 për qind, e pas së cilës drejtimin e saj e mori Lumir Abdixhiku.