Arbëri

Mjeku: Janë pjekur kushtet që profesori Bejta të shkarkohet nga UP-ja

Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore, ka thënë se pret që profesori në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, i akuzuar për dhunë dhe shantazh ndaj studentëve, të shkarkohet nga Universiteti i Prishtinës.

Sipas saj, janë pjekur të gjitha kushtet që ky profesor të shkarkohet nga detyra e tij brenda UP-së.

Ajo ka njoftuar se në protestën që do të mbahet të mërkurën nga ora 11:00 për shkarkimin dhe arrestimin e tij, do të kërkohet të merret edhe përgjegjësi për persona të tjerë që abuzojnë me studentë.

“Jemi duke e kërkuar shkarkimin e profesorit Bejta, por nuk do të fokusohemi vetëm aty. Profesori Bejta nuk është i vetëm, ka edhe të tillë që janë abuzues, që abuzojnë me studentë çdo ditë. Janë duke i rehabilituar abuzuesit brenda UP-së. Kur merren masa qesharake, ua mundëson atyre terrenin dhe janë duke e normalizuar dhe institucionalizuar dhunën dhe abuzuesit. Askush nuk po merr përgjegjësi. Po besoj se do të shkarkohet sepse janë pjekur të gjitha kushtet dhe rrethanat që kjo të ndodhë”, ka thënë ajo të martën në “Interaktiv” të KTV-së.

Ajo ka deklaruar se nuk është arritur dakordim me Këshillin Studentor të Fakultetit të Filologjisë që të organizohet një protestë e përbashkët, andaj është vendosur që të mbahen dy protesta të ndara.

“Mendoj që është shumë mirë që janë të thirrura dy protesta për të njëjtin qëllim, përjashtimin e profesorit nga Universiteti. Na kanë ardhur disa mesazhe nga studentët, ku pyesin se a do të ketë policë në protestë për shkak se kanë frikë të dalin”, ka thënë ajo.

Mjeku ka njoftuar se kanë marrë mesazhe të shumta nga studentë e ish-studentë, të cilët kanë pyetur nëse do të ketë masa të policisë pasi kanë frikë t’i bashkohen protestës.

“Së fundmi kur e thirrëm protestën për profesorin Bejta, kemi marrë mesazhe prej ish-studenteve dhe ish-studentëve që kanë pyetur se a do të ketë masa të policisë sepse po frikësohemi të vijmë. Po frikësohen të dalin në marsh, ndonëse janë ish-studentë të fakultetit. Së fundmi e dëgjuam një audio që ai i ka kërcënuar me jetë. Po e parafrazojë saktë, ka thënë se dikush këtu do të vdesë. Kjo duhet të theksohet. Kjo është gjendja”, është shprehur ajo.