10 muaj pas hapjes së hetimeve, është ngritur aktakuzë ndaj ish-profesorit të Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta. Ai akuzohet për kanosjen e një studenteje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, i cili është denoncuar për kërcënim nga një studente.
10 muaj pas hapjes së hetimeve, Prokuroria e akuzon atë për veprën penale “kanosje”
“Prokurori i rastit më datë 29.09.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj z. Bekim Bejta, në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet nga Prokuroria Themelore.
Studentja fillimisht nuk gjeti mbështetje nga sistemi i drejtësisë në raportimin e saj. Sipas saj, Policia nuk e mori parasysh e Prokuroria fillimisht konstatoi se nuk ka elemente të veprës penale pa i shikuar dëshmitë që denoncuesja i posedonte.
Prokuroria i rinisi hetimet në fund të vitit të shkuar, vetëm pasi studentja e raportoi në Inspektoratin Policor zyrtarin policor dhe prokurorin kujdestar.
Edhe
Zvarritja e marrjes së masave dhe tërheqja nga posti e shpëtojnë Bejtën nga ndëshkimi
E, Bejta ka dhënë dorëheqje nga pozita e profesorit në muajin korrik, pasi KOHA publikoi audio-incizimet ku ai dëgjohet duke kërcënuar e fyer studentët.
KOHA nuk ka mundur të marrë një koment nga ish-profesori, meqë numri i telefonit të tij nuk ka qenë i qasshëm.
E studentja e cila e denoncoi Bejtën, ka treguar se nga Prokuroria është njoftuar një muaj pasi është ngritur aktakuza.
“Prokuroria më ka njoftuar se kanë ngritur aktakuzë ndaj Bekim Bejtes, pasi u kam shkruar dje gjatë ditës për t’u interesuar sesi është duke shkuar procesi i hetimit. Më vjen mirë që Prokuroria e ka trajtuar denoncimin tim, por për të ardhur deri te ky moment më është dashur të trokas në dyert e të gjitha institucioneve të drejtësisë pasi rasti im fillimisht nuk është trajtuar me seriozitet nga organet e drejtësisë”, tha studentja.
Edhe
Bejta lë punën si profesor në UP
Në Prokurori nuk dhanë një arsye zyrtare se pse nuk është njoftuar me kohë denoncuesja, për ngritje të aktakuzës.
Beteja të studentëve me Bejtën janë zhvilluar edhe brenda Universitetit të Prishtinës. Një vit pas ankesave, Këshilli i Etikës ka marrë vendim përfundimtar duke konstatuar se ai ka cenuar jashtëzakonisht shumë kredibilitetin e profesionit të profesorit. Përkundër kësaj, Këshilli konstatoi se nuk ka legjitimet të nxjerrë vendim meritor ndaj Bejtës.