LAJMET E MBRËMJES

Tek pas raportimit të KOHËS, UP-ja merr masa ndaj profesorit recidivist

Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta, është suspenduar për gjashtë muaj nga Universiteti i Prishtinës, pak ditë pasi KOHA publikoi audio-incizime në të cilat dëgjohet duke kërcënuar dhe ofenduar studentët, e edhe duke bërë ofertë për kalim provimi. Studentët, në dy protesta që organizuan, thanë të jetë e pamjaftueshme masa dhe kërkuan përjashtimin e tij.

Është suspenduar profesori i Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta. Senati i Universitetit të Prishtinës e shqiptoi këtë masë, tek pasi KOHA publikoi audio-incizime, në të cilat Bejta dëgjohet tek fyen dhe kërcënon studentë, por edhe tek jep oferta për t’ua kaluar provimet.

Në vendimin që senati e nxori të mërkurën në një mbledhje të jashtëzakonshme, thuhet se masa e suspendimit për gjashtë muaj, por gjatë së cilës profesori Bejta do ta marrë 50 për qind të pagës, do të vazhdojë deri në përfundimin e procedurës disiplinore që Këshilli i Etikës e ka iniciuar ndaj tij.

Të njëjtën ditë, dy protesta u organizuan para Rektoratit të UP-së.

Aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore thanë se profesori duhet përjashtuar dhe se vendimi i Senatit e normalizon dhunën brenda ambienteve akademike

“Nga ajo që kemi dëgjuar nga studentet dhe studentët dhe nga media, ne kemi ardhur në përfundim se Bejta paraqet rrezik për studentët në UP, sidomos kur ato janë gra. Ne Bejtën e shohim një simptomë të një zinxhiri strukturor, që brenda UP-së, prodhon e normalizon dhunë të gjinizuar në çdo instancë”, ka thënë Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore.

Përjashtim të këtij profesori kërkuan edhe përfaqësues të studentëve të Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë, gjatë një marshi që ata organizuan.

“Kemi raste besa nuk mund të them lirshëm sepse nuk kemi fakte adekuate, por kemi edhe për ngacmime seksuale besoj te studentet si i cilëson ai ka dy metra të bukura, por ne do t'i dëshmojmë të gjitha ai është një psikopat dhunues psikik. Unë e di që pas kësaj deklarate mundem të jem i rrezikuar”, ka thënë Edon Nishori nga Unioni Demokratik Studentor.

Profesori Bejta nuk i ka komentuar akuzat e studentëve dhe as masën e shqiptuar nga UP-ja.

E rektori Qerim Qerimi ka mbështetur vendimin e Senatit, por nuk tha se do të kërkojë përgjegjësi nga instancat UP-së, të cilat nuk kanë reaguar ndër vite, përkundër denoncimeve nga studentët.

“Ajo që ka ndodhur ndër vite është problemi real, sepse sikur e thashë më herët denoncimi i parë kundër tij ka qenë në vitin 2016, ka pasur disa vendime të ndërkohshme në ato vite, prandaj për atë mund të pyesni dikë tjetër pse nuk është marr asgjë”, ka thënë Qerimi.

Disa herë profesori Bejta është denoncuar nga studentët, por Këshilli i Etikës ka shqiptuar vetëm masën e ndalimit të tij nga mentorimi, ani se pati konstatuar sjellje joetike të tij në hapësira të Universitetit.