Një vit pas denoncimeve që studentët i bënë ndaj ish-profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, Këshilli i Etikës ka marrë vendim përfundimtar. Në vendimin që e ka siguruar KOHA, Këshilli ka konstatuar se nuk ka legjitimitet të nxjerrë vendim meritor, meqë Bejta në korrik ka dhënë dorëheqje, por ka lënë të hapur mundësinë që nëse ai kthehet në UP, të ndërmarrë masa ndaj tij. Vendimi i marrë pas dorëheqjes së tij është vlerësuar i zvarritur, e sipas organizatave monitoruese të punës së Këshillit të Etikës, kjo dekurajon studentët e motivon shkelësit
Këshilli i Etikës i universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim përfundimtar për denoncimet e studentëve ndaj ish-profesorit në Fakultetin e Filologjisë, Bekim Bejta, një vit pas paraqitjes së ankesave në këtë instancë.
Këshilli i Etikës ka konstatuar javën që shkoi se Bejta ka bërë shkelje të rënda të Kodit të Etikës dhe ka cenuar jashtëzakonisht shumë kredibilitetin e profesionit të profesorit të UP-së.
Por Këshilli ka konstatuar se nuk ka legjitimet të nxjerrë vendim meritor, meqë Bejta në korrik ka dhënë dorëheqje pas audio-incizimeve që publikoi KOHA ku shpërfaqeshin gjuha denigruese dhe ushtrimi i dhunës psikologjike ndaj studentëve.
Në vendimin që e ka siguruar KOHA, Këshilli ka lënë të hapur mundësinë që nëse ai kthehet në UP të ndërmarrë masa ndaj tij.
“Këshilli i Etikës vendos proceduralisht se procedura e filluar sipas denoncimit do të riaktivizohet automatikisht dhe sipas detyrës zyrtare, nëse z. Bekim Bejta në të ardhmen do të mund involvohej direkt apo indirekt në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në vendimin e Këshillit, i marrë më 3 tetor.
Studentët denoncues, në kushte anonimiteti, janë ankuar se Këshilli ka zvarritur procesin e marrjes së vendimit përfundimtar.
Sipas Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik, Këshilli është i obliguar që intervistimin e palëve ta kryejë jo më vonë se pesë ditë pas paraqitjes së denoncimit. E sipas studentëve, intervistimi i tyre është bërë muaj më vonë.
“Intervistimi bëhet sa më shpejt që është e mundur pas paraqitjes së shkeljes së dyshuar, por jo më vonë se pesë ditë pune, duke siguruar që shkelësi i dyshuar është njoftuar dy ditë pune më herët”, thuhet në nenin 7 të Rregullores.
Po ashtu, Rregullorja parasheh që Këshilli duhet të marrë vendim më së largu 30 ditë pas paraqitjes së shkeljes.
“Vendimi i Këshillit të Etikës me të cilin propozohet masa disiplinore paraprakisht i prezantohet rektorit dhe më pas në Senat, përkatësisht në Këshill Drejtues më së largu tridhjetë ditë kalendarike pas paraqitjes së shkeljes”, shkruan në Rregullore.
Në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ORCA), e cila monitoron punën e Këshilli të Etikës, kanë vlerësuar se performanca e kësaj instance është e dobët.
Sipas drejtorit të hulumtimit në ORCA, Gramos Buçinca, vendimet ndëshkuese të Këshillit nuk janë proporcionale me shkeljet. E kjo, sipas tij, dekurajon studentët e motivon shkelësit.
“Performaca është e dobët, fatkeqësisht kjo vjen për shkak të një tradite juridike kosovare që është gjithkund në të gjitha gjykatat kosovare dhe në të gjithë këshillat disiplinorë që tentohet me u shty rasti, sidomos rastet që janë më të komplikuara ku vyen inputi aktual i atyre personave që janë profesionistë dhe i shtyn rastet deri në një kohë ku potencialisht u ka kaluar afati i tyre dhe ndryshojnë rrethanat rrënjësisht në terren”, ka thënë ai.
Në fund të marsit KOHA pati publikuar serinë e shkrimeve për denoncimet e studentëve ndaj Bejtës për kërcënime, shantazhe e dhunë psikologjike.
Në një nga audio-incizimet, ish-profesori në Departamentin e Gjuhës Angleze dëgjohet teksa drejton kërcënime ndaj studentes, cila e raportoi atë në Këshill të Etikës.
“Ajo u nis për me e bo të madhe, por vallai na shqiptarë jena, për besë ne pastaj vazhdojmë me kanun. Nuk jam t’u bo hajgare. S’po flas unë për të, se ajo është femër, e me femër është problem, a po më kupton! Por ajo ka meshkuj, e unë shkoj me kanun, s’po bëj hajgare”, dëgjohet të thotë Bejta, në incizimin e bërë në shtator të vitit të shkuar.
Përveç kërcënimeve e gjuhës denigruese, ai dyshohet se ka bërë dallavere në vlerësimin e studentëve. Në audio-incizim dëgjohet teksa u flet studentëve për një ofertë që ua kishte bërë në muajin qershor, që do t’iu ndihmonte atyre të kalonin provimin, në kohën kur ishte nën llupën e Këshillit të Etikës.
Bejta, i cili ka qenë i angazhuar mbi 15 vjet në UP, është dënuar për herë të parë nga Këshilli i Etikës në korrik të vitit të shkuar, pasi një studente e raportoi atë për ushtrim të dhunës psikologjike e përdorim të gjuhës denigruese.
Në vendim, Këshilli ka konfirmuar se profesori është recidivist i sjelljeve joetike. E, për veprimet e tij të përsëritura, ky organ e ka ndëshkuar atë me ndalimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet.
Ndëshkim tjetër për Bejtën nuk pati deri në mes të muajit prill. Pas publikimeve, Senati i UP-së vendosi për suspendimin e tij nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në UP. E në korrik Bejta dha dorëheqje nga pozita e profesorit.
“Unë, Bekim Bejta, profesor dhe hulumtues shkencor i Universitetit të Poitiers, Francë, po ju njoftoj që nga dita e sotme, nuk jam më profesor i Universitetit të Prishtinës. Domethënë unë po e braktisi (lë, lëshoj) këtë vend pune”, ka shkruar ai në letrën e dorëheqjes drejtuar Senatit.