Botë

Disa persona sëmuren pas hapjes së një pakoje të dyshimtë në bazën ajrore të Air Force One

air force

Disa persona janë sëmurë pasi hapën një paketë të dyshimtë që ishte dërguar në bazën ajrore ku ndodhet Air Force One, aeroplani presidencial amerikan.

Një zëdhënës i Joint Base Andrews (JBA) në Maryland, pranë kryeqytetit amerikan Uashington DC, tha se vendi ku u hap paketa u evakuua dhe personat që u ndjenë keq janë në gjendje stabile tashmë, sipas mjekëve në vendngjarje, raporton BBC.

Sipas raportimeve të CNN-it, paketa përmbante një pluhur të bardhë i paidentifikuar, dhe hetimet për incidentin janë ende në vazhdim.

Kjo bazë ajrore është vendi ku ruhet dhe operon aeroplani presidencial amerikan, si dhe avionët mbështetës të tij. Aty zakonisht niset presidenti për udhëtimet e tij zyrtare.

Zëdhënësi i JBA-së tha se ndërtesa ku u hap paketa dhe një ndërtesë tjetër përreth u evakuuan “për arsye sigurie”, dhe zona u rrethua nga forcat e sigurisë.

“Ekipet e emergjencës u dërguan menjëherë në vendngjarje, përcaktuan se nuk kishte ndonjë kërcënim të menjëhershëm dhe operacionet normale tashmë janë rifilluar. Hetimet po vazhdojnë”, ka deklaruar ai.

Sipas CNN-it, testet fillestare të ekipit Hazmatit (njësi speciale për substanca të rrezikshme) nuk zbuluan asgjë të rrezikshme.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu material propagandistik politik që mendohet se ishte përfshirë në paketë.