Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dushan Janjiq në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 73-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është analisti politik serb Dushan Janjiq.

Janjiq: Lufta kundër mafisë do të jetë prioriteti i parë i studentëve në Serbi

1 min. më parë / 15 nën 2026 20:05
Dushan Janjiq

Analisti politik serb, Dushan Janjiq, ka deklaruar se prioriteti i parë i lëvizjes studentore në Serbi do të jetë lufta kundër mafias, duke theksuar se kjo është një prej pritjeve kryesore të qytetarëve nga ndryshimet politike në vend.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Janjiq ka thënë se në fazën e parë, mesazhi kryesor i lëvizjes ishte zgjedhja mes Serbisë si shtet i rregulluar dhe mafisë.

“Mantra ishte: Serbia apo Mafia. Lëvizja zgjodhi Serbinë, si shtet të rregulluar që nuk kufizon liritë. Lufta kundër mafisë është prioriteti numër një”, u shpreh Janjiq.

Ai vlerësoi se ky mesazh është kuptuar edhe nga pala kundërshtare, ndërsa sipas tij, tashmë gjithnjë e më shumë aktorë po përfshihen në këtë proces.

Duke folur për zhvillimet në institucionet serbe dhe arrestimet e fundit, Janjiq ka thënë se ka ndodhur një rirreshtim i njerëzve brenda institucioneve, të cilët, sipas tij, duan të kryejnë punën e tyre dhe të respektojnë ligjin.

Megjithatë, ai paralajmëroi se në këtë proces mund të ketë edhe përplasje, akuza dhe përpjekje për ndikim politik.

Janjiqi gjithashtu u shpreh se ka pasur përpjekje që të krijoheshin shtabe të krizave nga Aleksandar Vuçiqi dhe mbështetësit  e tij. Por, siç thotë ai, nuk ia kanë dalë.