Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kundërligjshëm nënshkruan vjet marrëveshje për herë të dytë për transferimin e auditorit të brendshëm në AUV. Ani se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë kishte konstatuar shkelje në marrëveshjen e parë, këto institucione lidhën një marrëveshje të dytë me të njëjtat shkelje, e që u konstatuan sërish nga Këshilli
Për herë të dytë në mënyrë të jashtëligjshme, Ministria e Bujqësisë ka transferuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, Ilir Popajn, në pozitën e auditorit të brendshëm.
Ani se me rregullore të brendshme të AUV-it parashihet që të ketë vetëm një auditor të brendshëm dhe se auditorja e këtij institucioni është në pushim të përkohshëm për shkak të lehonisë, këto dy institucione lidhën marrëveshje për transferim të përhershëm të Popajt në pozitën e saj.
Shkeljet për dy herë radhazi i ka konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë.
Në vendimin e dytë të nxjerrë pak ditë më parë ka konstatuar se Marrëveshja për transferim të përhershëm e datës 1 shtator 2025 mes këtyre dy institucioneve është nxjerrë me shkelje të ligjit material dhe procedural.
Për këtë këshilli ka kërkuar anulimin e marrëveshjes.
Edhe
Vlerësohet i paligjshëm transferimi i auditorit të brendshëm në AUV
“I njëjti akt konsiderohet i paligjshëm në kuptim nenit 52 paragrafit 1 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, dhe për rrjedhojë Kolegji i Këshillit, bazuar në nenin 6 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1, nenin 18 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe nenit 132 paragrafi 2 i Ligjit Nr.05/L-031, vendosi për aprovimin e ankesës së ankueses, anulimin e aktit kontestues, me detyrimin ligjor që drejtori ekzekutiv i organit përkatës të punësimit, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Përveç shkeljeve procedurale, Këshilli ka konstatuar se auditori i transferuar në AUV nuk i plotëson kualifikimet arsimore të pozitës Auditor i Brendshëm, sipas Rregullores për Transferimin e Nëpunësve Civilë, Katalogut të Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.
Sipas vendimit, Popaj nuk posedon diplomë të studimeve sipas fushave të kërkuara arsimore e që si kriter kualifikimi është përcaktuar diplomë Universiteti-Fakulteti Ekonomik.
Vendimi i Këshillit nxjerr në pah se AUV-i tashmë është në proces të aprovimit të një rregulloreje të brendshme për Sistemimin e Vendeve të Punës, e që përmes saj është planifikuar që Njësia e Auditimit të Brendshëm të përbëhet nga tre nëpunës.
Në AUV kanë thënë për KOHËN se i respektojnë vendimet e Këshillit.
Edhe
MB-ja transferon në AUV auditorin e brendshëm që figuron si anëtar i PDK-së
“Në lidhje me vendimin konkret të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës theksojmë se në përmbajtjen e tij nuk është paraparë ndonjë rekomandim apo obligim specifik për ndërmarrjen e masave të brendshme disiplinore apo administrative nga ana e institucionit tonë. Si rrjedhojë, çdo veprim i mëtejmë institucional do të ndërmerret në përputhje me dispozitat ligjore dhe procedurat administrative që rregullojnë funksionimin e shërbimit civil”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
KOHA në korrik të vitit të kaluar ka raportuar për transferimin e Ilir Popajt në AUV, ani se ai figuronte në listën e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së e që bie ndesh me Ligjin për kontroll të brendshëm financiar, i cili ndalon auditorët të jenë pjesë aktive e subjekteve politike.
Por, Popaj pati mohuar se është anëtar i Këshillit Drejtues.
E KPMSHCK-ja e pati anuluar edhe marrëveshjen e parë për transferim duke e konsideruar atë të paligjshme.
Sipas Këshillit, AUV-i kishte auditor dhe nuk kishte vend të lirë për këtë pozitë.
Edhe
AUV-ja konstaton mospërputhje ligjore te qumështorja “Vita”, biznesi e mbyll fabrikën
Ai ishte transferuar në Agjenci të Ushqimit dhe Veterinës, pasi tre drejtorë të kësaj agjencie patën shprehur pakënaqësi me punën e auditores së brendshme.
Por, KOHA ka mësuar se për dy prej tyre, auditorja e brendshme gjatë auditimit në sektorët e tyre ka gjetur shkelje dhe disa madje janë deponuar në Prokurori.