Ilir Popaj, ani se figuron si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, vazhdon të ushtrojë detyrën e auditorit të brendshëm në Ministrinë e Bujqësisë dhe së fundmi është transferuar në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Kjo bie ndesh me Ligjin për kontroll të brendshëm financiar, i cili ndalon auditorët të jenë pjesë aktive e subjekteve politike. Popaj ka mohuar se është anëtar i Këshillit Drejtues, megjithëse emri i tij figuron në listat zyrtare të PDK-së
Në kundërshtim me Ligjin për kontroll të brendshëm financiar, Ilir Popaj, i cili figuron si anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, vazhdon të mbajë pozitën e auditorit të brendshëm në Ministrinë e Bujqësisë.
Ani se ky ligj, përkatësisht neni 26 i tij, parasheh kufizime për auditorët e brendshëm, ai së fundmi përmes një marrëveshjeje është transferuar për një periudhë gjashtëmujore si auditor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
Popaj ishte zgjedhur pjesë e Këshillit Drejtues në zgjedhjet e brendshme të PDK-së më 2019. Ndërsa në Konventën e kësaj partie të mbajtur më 21 qershor 2025, u është vazhduar mandati të gjitha organeve të brendshme të kësaj partie.
KOHA ka kontaktuar me Popajn, por ai ka mohuar të jetë pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së. Ai ka thënë se ditën që është mbajtur Konventa ka qenë në Shqipëri.
I pyetur nëse ka qenë më herët pjesë e Këshillit Drejtues, ai ka thënë se jo, ani se emri i tij figuron në listë, përfshirë edhe atë të 2025-tës.
“Unë të thashë se lista nuk është përditësuar që prej kohës kur unë kam qenë delegat. Të jesh delegat në konventë nuk është pozitë udhëheqëse apo drejtuese”, ka thënë Popaj.
Ai ka kërkuar që lidhur me këtë të kërkohen sqarime nga PDK-ja pasi, sipas tij, gabimisht figuron në listën e Këshillit Drejtues të qershorit 2025.
E KOHA ka dërguar pyetje në PDK, por ky subjekt politik nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Ligji për kontrolle të brendshme, që ka hyrë në fuqi më 19 prill 2018, kërkon që auditorët të mos jenë anëtarë aktivë të ndonjë subjekti politik.
“Auditorët e brendshëm në punën e tyre janë të paanshëm, objektivë dhe raportojnë për çfarëdo konflikti të mundshëm të interesit. Në lidhje me këtë auditorët e brendshëm: 1.2. nuk mbajnë poste politike, nuk janë anëtarë aktivë të ndonjë subjekti politik dhe nuk emërohen në pozita drejtuese në strukturat e subjekteve politike”, thuhet në ligj.
KOHA ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës përgjigje nëse janë në dijeni që Popaj është në listën e Këshillit Drejtues të PDK-së, por nuk ka marrë përgjigje.
Popaj është transferuar në Agjenci të Ushqimit dhe Veterinës pasi tre drejtorë të kësaj agjencie kanë shprehur pakënaqësi me punën e auditores së brendshme.
KOHA mëson se për dy prej tyre auditorja e brendshme gjatë auditimit në sektorët e tyre ka gjetur shkelje dhe disa madje janë deponuar në Prokurori.
Në shkresat që posedon KOHA nga AUV-i, përkatësisht drejtori i Administratës, Shkelzen Morina, në emër të kryeshefit Bekim Hoxha është kërkuar që Ilir Popaj të caktohet auditor në AUV për periudhën gjashtëmujore, me mundësi vazhdimi.
“Po ju shkruaj në emër të kryeshefit Hoxha dhe me rekomandim të tij për çështjen e auditorit. Ju lutem që auditorin Ilir Popaj ta caktoni auditor në AUV në periudhën gjashtëmujore me mundësi vazhdimi”, thuhet në shkresë.
Edhe në një shkresë të mëvonshme bëhet kërkesë për caktim të një auditori në AUV.
“Duke marrë parasysh shqetësimet e drejtorëve të AUV-it, me punën e auditores së brendshme të AUV-it, të shprehura në shkresat e dërguara më 14 shkurt 2025, ku janë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me punën e saj dhe shkresën e fundit të dërguar në drejtim të ministrit Peci, të datës 8 prill 2025. Mirësisht kërkojmë nga ana juaj që të dërgoni një auditor në AUV për kryerjen e aktiviteteve audituese”, thuhet në shkresën tjetër të AUV-it.
Transferi është bërë me miratim nga sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Venera Çerkini.
Në marrëveshje thuhet se transferi bëhet për periudhën kohore gjashtëmujore duke filluar nga data 15 prill e deri më 15 tetor 2025.
KOHA ka pyetur në AUV pse është kërkuar pikërisht Popaj që të bëjë auditimet në AUV, por nuk ka marrë përgjigje që nga e hëna.