Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka anuluar marrëveshjen për transferim të një nëpunësi civil si auditor të brendshëm në Agjenci të Ushqimit dhe Veterinës duke e konsideruar atë të paligjshme. Sipas Këshillit, AUV-i kishte auditor dhe nuk kishte vend të lirë për këtë pozitë. KOHA kishte raportuar për transferim të Ilir Popajt në këtë pozitë, e cili figuronte si pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK) e ka vlerësuar të paligjshme marrëveshjen për transferim të auditorit Ilir Popaj, nga Ministria e Bujqësisë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.
Ky institucion ka marrë vendim për anulimin e kësaj marrëveshjeje, duke konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për një veprim të tillë, pasi tashmë AUV-i kishte auditor të brendshëm dhe nuk kishte pozitë të lirë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka vepruar në kundërshtim me parimet e përgjithshme të menaxhimit të zyrtarëve publikë të përcaktuara në nenin 8 të Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes me numër protokolli 3022, të datës 16.04.2025, për Transferimin e Përkohshëm të Nëpunësve Civilë e lidhur në mes të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, lidhur me transferimin e z. I.P. për të ushtruar detyrat funksionale që lidhen me pozitën e auditorit të brendshëm në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ngase ligji material në asnjë nen të tij nuk e ka përcaktuar mundësinë që një pozitë e cila ka titullar apo zyrtar të emëruar (i cili është duke ushtruar detyrat e punës), të ushtrohet qoftë me zëvendësues, ushtrues detyre apo në pozitën përkatëse të bëhet transferimi”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
Po ashtu, Këshilli arsyetoi se organet e punësimit nuk kanë sjellë prova se ekzistojnë dy pozita të auditorit të brendshëm në AUV.
“Kolegji i Këshillit konstaton se ankuesja pozitën auditore e brendshme e ushtron në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, ndërsa organi i punësimit nuk e ka argumentuar me asnjë provë relevante të provueshme në procedurë administrative, nëse në AUV janë të përcaktuara dy (2) pozita, auditor të brendshëm me akt të brendshëm normativ të rregullimit të strukturës organizative, sikurse organi i punësimit me rastin e dërgimit të provave të lëndës përmes shkresës së datës 29.05.2025 nuk e ka mbështetur me asnjë provë relevante faktin nëse ankuesja ka të shqiptuar ndonjë masë disiplinore që ndërlidhet me ushtrimin e detyrave të saj të punës si auditore e brendshme në AUV”, thuhet në vendim.
Këshilli ka paralajmëruar masa ndaj personave përgjegjës në rast të moszbatimit të vendimit, siç është ndalja e 50 për qind të pagës mujore.
Lidhur me vendimin e Këshillit, KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, por nuk ka marrë përgjigje.
E nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë thënë se kanë pranuar vendimin e Këshillit dhe është ndërprerë marrëveshja me MBPZHR-në për transferim të Popajt.
KOHA në korrik ka raportuar për transferimin e Ilir Popajt në AUV, ani se ai figuronte në listën e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së e që bie ndesh me Ligjin për kontroll të brendshëm financiar, i cili ndalon auditorët të jenë pjesë aktive e subjekteve politike.
Por, Popaj kishte mohuar se është anëtar i Këshillit Drejtues.
E në MBPZHR e në AUV nuk kanë komentuar lidhur me këtë.
Ai ishte transferuar në Agjenci të Ushqimit dhe Veterinës pasi tre drejtorë të kësaj agjencie kanë shprehur pakënaqësi me punën e auditores së brendshme.
Por, KOHA ka mësuar se për dy prej tyre, auditorja e brendshme gjatë auditimit në sektorët e tyre ka gjetur shkelje dhe disa madje janë deponuar në Prokurori.