Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar të enjten se përmes inspektimeve në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, ka hasur në mospërputhje me legjislacionin në fuqi pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit e inspektimit të linjave. Agjencia nuk ka përmendur emra të biznesit, por ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka thënë se sot inspektime janë kryer në kompaninë “Vita”. E kompania e ka mbyllur fabrikën përkohësisht duke thënë se s’do të pranojë më qumësht nga fermerët.
Në një komunikatë të AUV-së të enjten në mbrëmje është thënë se janë marrë mostra të qumështit e se ato janë dërguar për analiza laboratorike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në bazë të verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi. Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme. Gjithashtu, është konstatuar se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente”, thuhet në njoftim të AUV-së.
Kjo agjenci ka thënë se nuk ka marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit. Është thënë se vlerësimi dhe konstatimet do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike.
“Pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e legjislacionit në fuqi, përfshirë udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore. AUV rithekson se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa çdo operator është i obliguar të veprojë në përputhje me ligjin. Rezultatet laboratorike dhe procedurat e mëtejshme do të përcaktojnë veprimet përfundimtare të autoriteteve kompetente”, thuhet në njoftim.
E paraprakisht, ministri i Bujqësisë, Armend Muja u shpreh se “siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë”.
“Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë. Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’. Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore. Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin”, ka thënë Muja duke shtuar se kontrolli ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën në treg.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, ka shtuar ai.
Ndërkaq pas inspektimeve, drejtori gjeneral i “Vitës”, Artan Spahija, njoftoi për mbylljen e qumështores.
“Nga sot ne nuk pranojmë qumësht. Nga sot ne e mbyllim fabrikën deri në vendimin e radhës”, ka thënë ai para stafit dhe mediave. “Vendimi është deri sa këta të dalin me vendim publikisht dhe me rezultate e të gjitha”.
Spahija ka akuzuar institucionet se më shumë “i duan ata në Bosnjë e Maqedoni”.
Pas kësaj ka pasur reagim edhe nga Komuna e Istogut. Në një komunikatë nga kjo komunë, është thënë se mbyllja e kësaj qumështoreje është goditje e rëndë për ekonominë.
“Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të madh në Komunën e Istogut, duke prekur drejtpërdrejt fermerët vendorë, qindra punëtorë dhe gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit. Vita është një nga kompanitë më të mëdha të industrisë së qumështit në Kosovë dhe partneri kryesor i shumë fermerëve të komunës sonë. Çdo ndërprerje e funksionimit të saj sjell pasoja të menjëhershme ekonomike për familjet që jetojnë nga prodhimi dhe grumbullimi i qumështit”, thuhet në reagim.
Kryetari Ilir Ferati ka kërkuar hapjen e qumështores duke bërë thirrje për transparencë.
E për këtë inspektim kanë reaguar edhe akterë politikë, ndërsa në Istog janë parë fermerë duke protestuar.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, akuzoi institucionet duke thënë se “u vërtetua edhe njëherë se ky pushtet e sheh prodhuesin vendor si armik”.
“Mbyllja e qumështores më të madhe në vend, Vita, la qindra punëtorë pa punë dhe mijëra fermerë kosovarë në udhëkryq. Është absurde dhe e dhimbshme të shihet se si një prodhues vendor largohet dhunshëm nga raftet e marketeve tona, duke i lënë kështu hapësirë e terren të lirë produkteve me origjinë nga Serbia. Arsyetimi për kontroll të cilësisë është edhe më i rëndë, sepse kontrolli i ushqimit duhet të bëhet në vazhdimësi e jo një herë në 6 vite për qëllime politike. Kur shteti sillet si shkatërrues ndaj prodhuesve të vet, pasojat i vuan tryeza e çdo qytetari. Kjo mendësi rrënuese po e ngulfat ekonominë tonë. Institucionet duhet ta sqarojnë menjëherë këtë rast dhe të gjejnë zgjidhje që puna të rifillojë sa më parë. Mbështetje e plotë për të gjitha familjet e prekura”, ka shkruar ai në Facebook.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka thënë se me këtë inspektim po shkohet drejt mbylljes së prodhuesve vendorë.
“Represioni i sotëm ndaj qumështores Vita tregon luftën që kjo qeveri po e zhvillon kundër sektorit privat dhe prodhuesve vendorë! E pastaj pyesim pse nuk ka investime në Kosovë. Nuk mund të ketë as investime vendore e as investime të huaja në një vend ku qeveria është armiqësore ndaj sektorit privat. Me këtë qasje, shihet qartë se qeveria e Albin Kurtit nuk synon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e kushteve për një jetë me dinjitet në Kosovë. Përkundrazi, po ndërton një model ekonomik ku qytetarët bëhen gjithnjë e më të varur nga ndihmat e qeverisë, në vend që të krijohen kushte për punë, prodhim dhe investime”, ka shkruar ai në Facebook.