Shumë produkte për të cilat kompanitë kanë deklaruar se përmbajnë qumësht të freskët, kanë rezultuar se kanë edhe përbërës të tjerë, si vaj palme, apo qumësht pluhur. Përbërës të tillë janë konstatuar në 93 mostra prej 495 sosh që gjatë një aksioni i ka marrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Në reagimin e saj, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar hetime e përballje me ligjin për shkelësit
Ilirjana Thaqi
Gati në çdo të pestin produkt të qumështit të kontrolluar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), janë konstatuar përbërës të padeklaruar, si vaj palme apo qumësht pluhur.
Të dhënat janë bërë të ditura në një konferencë për media të martën, në të cilën janë publikuar rezultatet e mostrave që janë marrë në periudhën prill-korrik, gjatë aksionit të zgjeruar të kontrolleve në sektorin e qumështit.
Kryeshefi i Agjencisë, Bekim Hoxha, ka thënë se në 495 mostra janë analizuar parametrat e ndryshëm të autenticitetit dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtes dhe qumështit pluhur.
“Nga gjithsej 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Kjo përfaqëson pothuajse gjysmën e të gjitha mospërputhjeve të identifikuara gjatë aksionit dhe e bën vajin e palmës çështjen më të shpeshtë të identifikuar gjatë kontrolleve tona”, ka thënë Hoxha.
Edhe
Muja akuzon “Drinin e Bardhë” dhe “Qumështoren Vita” për furnizim me ujë të ujitjes
Vaji i palmës është i pasur me yndyra të ngopura, ndërsa qumështi pluhur përdoret si zëvendësues i qumështit të freskët në disa produkte.
Bazuar në rezultatet e Agjencisë, në mbi 91 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit nuk janë deklaruar në etiketë në mënyrën e kërkuar me legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka thënë se qëllimi i kontrolleve nuk ishte gjetja e fajtorëve, por evidentimi i së vërtetës.
“Ajo duhet të mbështetet në prova, analiza laboratorike, dokumentacion teknik dhe procedura të rregullta administrative”, ka thënë ai.
Një muaj më parë, kur mostrat janë marrë në qumështoren Vita, kompania ka pezulluar për disa ditë punën, ndërkaq përfaqësues të saj e edhe fermerë që e furnizojnë me qumësht, kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë.
Ministri Muja ka thënë të martën se në disa mostra të marra te produktet e Vitës është konstatuar prani e vajit të palmës, ndërsa ka theksuar se mes gjetjeve është edhe përdorimi i ujit të sistemit të ujësjellësit, që nuk është i trajtuar dhe i pijshëm.
“Uji, në bazë të rregullores për higjienë, duhet të jetë vetëm ujë i trajtuar, vetëm ujë i pijes. ‘Drini i Bardhë’ është kompania që ne dyshojmë se e ka keqpërdorur dhe e shkelur marrëveshjen e mirëkuptimit me Ministrinë e Bujqësisë. Uji që ne e kemi financuar për t’u ndihmuar fermerëve të Istogut, ne dyshojmë se është rikanalizuar për ta furnizuar jashtëligjshëm Abrazenin me ujë të pijes”, ka thënë Muja.
Për këtë, Muja ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kompanisë “Drini i Bardhë”.
Edhe
Analizat gjejnë se gati çdo i pesti produkt qumështi përmban përbërës të padeklaruar
Gjetjet e AUV-it nuk i ka pranuar “Vita”.
Lekë Sahatçiu nga Departamenti Ligjor i “Devolli Group”, pjesë e së cilit është edhe qumështorja “Vita”, ka mohuar të gjitha gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Gjithashtu ai ka mohuar edhe që kompania furnizoher nga sistemi i ujitjes nga “Drini i Bardhë”.
“Produktet tona, të markës ‘Vita’ janë 100% qumësht i fermerëve tanë dhe për këtë garantojmë ligjërisht dhe moralisht. Për më tepër, çdo produkt që del nga fabrika jonë, përmbajtja e tyre është e deklaruar në formën e përcaktuar me ligjin e aplikueshëm të Republikës së Kosovës. Nëse do të ishte e kundërta, ato produkte do të tërhiqeshin nga tregu nga vetë inspektorati, ndërkaq deri më sot, nuk janë tërhequr të njëjtat, sepse janë në përputhje me ligjin”, ka thënë Sahatçiu.
Ndërkohë, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka bërë thirrje për hetime dhe përballje me ligjin për përgjegjësit, në rastin e përdorimit të vajit të palmës në produktet e qumështit.
Në një reagim në Facebook, pas publikimit të gjetjeve nga AUV-i, kjo shoqatë ka thënë se ato duhet të shënojnë “fundin e heshtjes”.
“Konferenca e ministrit të Bujqësisë, z. Armend Muja, në AUV, sot më datë 04.08.2026, përmes së cilës u prezantuan gjetje skandaloze sa i përket vajit të palmës dhe qumështit pluhur, tregon dhe dëshmon se shqetësimet tona, të shprehura ndër vite, kanë qenë të drejta dhe të sakta. Vaji i palmës dhe qumështi pluhur duhet të ndalohen në fabrikat e përpunimit të qumështit në Kosovë. Fshehja masive e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në produktet e qumështit tregon se jemi duke u përballur me një problem jashtëzakonisht të madh, i cili mund dhe duhet të ndalet. Qindra miliona kilogramë produkte me vaj palme dhe qumësht pluhur duhet të hetohen, ndërsa përgjegjësit duhet të përballen me ligjin”, thuhet në reagim.
Kjo shoqatë ka bërë thirrje për vazhdim të kontrolleve dhe hetimeve deri në demaskimin e keqpërdorimeve.
Ministri në detyrë Muja gjatë konferencës ka thënë se qumështi nga fermerët që shkon në kompani është i cilësisë së mirë, por vlerat e tij jo gjithmonë ruhen pas dorëzimit te përpunuesit.
Edhe
Largohen nga tregu 7 produkte qumështi që nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës
“Konsumatorët e Kosovës duhet të qetësohen dhe të rikthehet besimi i tyre, si ndaj produkteve vendore, ashtu edhe ndaj produkteve të importuara. Kontrollet e realizuara nga AUV janë për t’u përkrahur dhe për t’u falënderuar. Ato janë një hap i rëndësishëm drejt transparencës, kontrollit dhe mbrojtjes së konsumatorit. Shoqata e Qumështoreve i bën thirrje AUV-së që të vazhdojë me të njëjtin intensitet kontrollet dhe hetimet, deri në demaskimin dhe ndalimin e plotë të çdo keqpërdorimi që bëhet në dëm të fermerëve, konsumatorëve dhe shtetit në përgjithësi. Interesi publik është mbi gjithçka tjetër”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës.
Gjatë konferencës së AUV-së, është bërë e ditur se probleme që lidhen me kushtet higjienike janë konstatuar te disa përpunues qumështi.