Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muja akuzon “Drinin e Bardhë” dhe “Qumështoren Vita” për furnizim me ujë të ujitjes

Armend Muja

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë”. Ai ka thënë se kjo kompani ka keqpërdorur dhe shkelur një marrëveshje për ujin e sistemit të ujitjes. Sipas tij, uji i dedikuar për ujitje për fermerët në Istog, ka përfunduar te “Qumështorja Vita”.

Në një konferencë për media për publikimin e analizave nga sektori i qumështit, Muja ka thënë se ka kërkuar ndërprerjen e marrëveshjes së Ministrisë me “Drinin e Bardhë”.

“Siç na ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, qumështoret tona, specifikisht ‘Abrazeni’ (qumështorja Vita), e përdor ujin e sistemit të ujitjes. Uji, në bazë të rregullores për higjienë, duhet të jetë vetëm ujë i trajtuar, vetëm ujë i pijes. ‘Drini i Bardhë’ është kompania që ne dyshojmë se e ka keqpërdorur dhe e shkelur marrëveshjen e mirëkuptimit me Ministrinë e Bujqësisë. Uji që ne e kemi financuar për t’u ndihmuar fermerëve të Istogut ne dyshojmë se është rikanalizuar për ta furnizuar jashtëligjshëm Abrazenin me ujë të pijes”, ka thënë ai në konferencë.

Tutje, Muja ka deklaruar se ka kërkuar sqarime nga “Drini i Bardhë” dhe se, sipas tij, kjo kompani ka pranuar se e ka bërë një gjë të tillë “por se vetëm për cisterna të qumështit”. Për këtë çështje ai ka paralajmëruar kallëzim penal nga Ministria.

“Të gjitha marrëveshjet do të rishikohen që shkelje të tilla... Ujin e fermerit për ujitje, që e ka financuar Ministria e Bujqësisë, nuk mund ta marrësh për ujë të pijes e as për prodhim të qumështit. Do të trajtohet me shumë seriozitet”, ka shtuar Muja.

Muja po ashtu ka thënë se ky përpunues qumështi nxjerr në treg produkte me vaj palme e edhe me qumësht pluhuri.

Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë.

Në një konferencë për media të martën, drejtori ekzekutiv në AUV, Bekim Hoxha, ka bërë të ditur se në periudhën prill-korrik janë kryer kontrolle në treg, në njësi prodhuese, kufij e përpunues të qumështit. Sipas tij, janë marrë 495 mostra që janë analizuar. Nga të dhënat që ka përmendur ai, janë identifikuar 93 mospërputhje, e që gati gjysma e tyre kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Vaji i palmës është përmendur në 46 raste të mospërputhjes, pasuar nga prania e vajrave bimorë, niseshtes e qumështit pluhur.

“Analizat në laboratorin e AUV-it, mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve përbërësit nuk janë proklamuar në etiketë në mënyrën e kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë”, ka thënë ai gjatë konferencës, ndërsa kur ka ofruar detaje për këtë ai ka thënë se në 85 raste ka pasur prani të përbërësve të padeklaruara në etiketë, ndërsa në 8 të tjera përbërës të deklaruar por të padetektuar gjatë analizës. “Kur një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, duhet të tregohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”.

Në momentin e publikimit të këtij artikulli, KOHA ka dërguar pyetje në e-mail adresat e emrave të akuzuar nga Muja. Qumështorja “Vita” ka mohuar gjetjet, ndërsa “Drini i Bardhë” ende s'ka kthyer përgjigje. 

Qumështorja “Vita” mohon të gjitha gjetjet e AUV-it

1 muaj më parë / 4 gus 2026 16:38
qumshtorja vita

Ilustrim: Qumështorja "Vita"

Photo: Driton Paçarada

Lekë Sahatçiu nga Departamenti Ligjor i “Devolli Group”, pjesë e së cilit është edhe qumështorja “Vita”, ka mohuar të gjitha gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të prezantuara gjatë ditës së sotme. Gjithashtu është mohuar edhe që furnizohen nga sistemi i ujitjes nga “Drini i Bardhë”.

Analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit kanë rezultuar se gati çdo i pesti produkt i qumështit në Kosovë përmban përbërës të padeklaruar në etiketë.

Në përgjigjet për KOHËN, Sahatçiu ka thënë se nuk është e vërtetë që produktet e qumështores “Vita”, kanë përmbajtje të produkteve të padeklaruara pasi sipas tij ato do të tërhiqeshin nga vetë Inspektorati.

“Produktet tona, të markës “Vita” janë 100% qumësht i fermerëve tonë dhe për këtë garantojmë ligjërisht dhe moralisht. Për më tepër, çdo produkt që del nga fabrika jonë, përmbajtja e tyre është e deklaruar në formën e përcaktuar me ligjin e aplikueshëm të Republikës së Kosovës. Nëse do të ishte e kundërta, ato produkte do të tërhiqeshin nga tregu nga vetë inspektorati, ndërkaq deri më sot, nuk jane tërhequr të njëjtat, sepse janë në përputhje me ligjin”, thuhet në përgjigje.

Tutje Sahatçiu ka mohuar edhe deklarimet e minsitrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, për numrin e punëtorëve dhe sasinë e qumështit të pranuar të fermerëve.

“Janë të pavërteta dhe shpifëse. Nuk e kuptojmë tendencën e Ministrit Muja për të e sulmuar Fabrikën tonë. Ndër shpifjet e tjera, është edhe prezentimi i rremë i numrit të punëtorëve, duke përdorur të dhëna për një kompani tjetër (Devolli Group), ndërkaq emri i kompanisë tonë është Abrazen LLC. Gjithashtu, manipulimi dhe e pavërteta tjetër e Ministrit Muja është se kinse ne kemi pranuar qumësht nga fermerët për 3 vite në sasi prej 9,000,000. Ai raport nuk është për 3 vite, por vetëm për periudhën Janar – Prill 2026, e jo për 3 vite”, thuhet tutje në përgjigjet e pyetjeve që KOHA i ka drejtuar kësaj kompanie.

Ministri Muja në konferencën e mbajtur për këtë çështje, paralajmëroi edhe kallëzim penal ndaj kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë”, pasi sipas Mujës, kjo kompani ka keqpërdorur dhe shkelur marrëveshjen për ujin e sistemit të ujitjes duke e dërguar të njëjtin te qumështorja “Vita” ndonëse ai ishte i dedikuar për ujitje për fermerët në Istog.

Sahatçiu ka mohuar një gjë të tillë. Në përgjigje thuhet që ata furnizohen me ujë direkt nga burimi me investime vetanake.

“Nuk përdorim ujin e sistemit të ujijtes. Ne furnizohemi me ujë direkt nga burimi, sipas investimeve vetanake të bera në vitin 2014, në vlerë mbi 1,000,000 EUR, për furnizim me ujë. Për më tepër, ne jemi të pajisur me Leje për Shfrytëzimin e Ujit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me datë 24.08.2021. Më tutje, ne jemi të pajisur edhe me Lejen Mjedisore, ku përfshihet shfrytëzimi dhe shkarkimi i ujërave, duke marrë parasysh edhe impiantin e pastrimit të ujit, gjithashtu investim mbi 500,000 EUR, i realizuar në vitin 2021. Ky investim është i pari në Republikën e Kosovës nga një fabrikë e përpunimit të qumështit”, thuhet në përgjigje.

Për këtë çështje, KOHA ka dërguar pyetje edhe në e-mail adresën e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Drini i Bardhë”, sapo të ketë përgjigje do të publikohet.