Masat e institucioneve ndaj produkteve të qumështit me përbërës të padeklaruar kanë nxitur pakënaqësinë te përfaqësues të kompanive që përpunojnë qumështin. Disa nga ta thanë se do të kërkohet edhe kompensim për dëmin
Ilirjana Thaqi
Përfaqësues të Shoqatës së Qumështoreve kanë kundërshtuar masat e vendosura nga institucionet për të larguar nga tregu qumështin dhe produktet e tij, në të cilat është konstatuar vaj palme apo përbërës të tjerë, e të cilët nuk janë paraqitur në etiketë.
Kushtrim Ajvazi, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, tha në një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike dhe Shoqata e Qumështoreve, se produkte me përbërje të njëjtë lejohen të importohet.
“Një industri, e cila është ndërtuar me mund tash e dy dekada, po tentohet të rrënohet në tërësi nga disa persona. Sipas vendimit të fundit të Ministrisë së Bujqësisë, lejohet të importohet i njëjti produkt, me përbërje të njëjtë, identike, nëse vjen nga importi, por i njëjti produkt nuk lejohet të prodhohet në vendin tonë, e aq më pak të eksportohet nga vendi ynë. Kjo është shqetësuese”, ka thënë Ajvazi.
Por, përfaqësues të institucioneve, kanë thënë më herët se importet që lejohen, në etiketë përmbajnë edhe përbërësit, përfshirë vajin e palmës. Ndërkaq, qumështoreve u është kërkuar të aplikojnë për linja prodhimi me përbërës tjerë si vaj palme, qumësht pluhur, hirrë pluhur e të tjera, por asnjë nuk ka aplikuar.
Megjithëkëtë, Ajvazi ka thënë se do të kërkohet dëmshpërblim për dëmin për të cilin ka thënë se është shkaktuar.
“Në fund të fundit, krejt ky dëm që krijohet ka me u ndjekur përmes instancave. Ka filluar me u ndjekur përmes instancave ligjore. Nëse qëllimi kryesor është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, që duhet të jetë qëllimi i secilit, po e para është e vetë prodhuesit.”
Edhe
Kurti kërkon më shumë analiza të produkteve ushqimore
E, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit thanë se masat e fundit të institucioneve, mund të kenë efekt te punëtorët dhe te grumbullimi i qumështit nga fermerët.
“Ne jemi të shqetësuar që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve do të detyrohen me u largu nga puna. Një sasi e madhe e qumështit, e cila është ardhur për këto produkte duhet me u ndërpre”, ka deklaruar Gani Durmishaj, bashkëkryetar i Shoqatës së Industrisë së Qumështit.
Por, ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka thënë se fushata e inspektimeve ka nisur pasi është parë sasi e madhe e vajit të palmës dhe qumështit pluhur që është importuar, e njëkohësisht edhe ulje e sasisë së qumështit që industria e ka marrë nga fermerët.
-
LDK-ja e quan qesharake gjobën prej 6 mijë eurosh që MINTI ia shqiptoi KEDS-it
-
Nga Kuvendi, mërgimtarët bëjnë thirrje për funksionalizimin e shpejtë të institucioneve
-
Dehari thotë se pa marrëveshje s’thirret seanca, opozita paralajmëron veprime
-
Vuçiq thotë se ndërhyri që të mos lejohet hapja e Urës së Ibrit