Reagimet për gjetjet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për praninë e vajit të palmës dhe qumështit pluhur në disa produkte të qumështit kanë vazhduar edhe të mërkurën. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që këto produktet të tërhiqen nga tregu dhe që të merren masa ndaj kujtdo që ka mashtruar. Nga AUV-i nuk janë përgjigjur e nga organizata “Konsumatori”, thonë se këtë problem e kanë ngritur shumë kohë më parë, porse institucionet nuk kanë marrë masa
Tërheqje nga tregu të të gjitha produkteve tek të cilat janë gjetur përbërës të padeklaruar, si vaj palme e qumësht pluhur, ka kërkuar të mërkurën ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Në një reagim, Haxhiu ka thënë se pas gjetjeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i bie se është mashtruar fermeri dhe konsumatori.
Haxhiu ka thënë se për këtë duhet të ketë edhe pasoja.
“Tash është radha e pasojave. Produktet me shkelje kritike duhet të tërhiqen nga tregu. Veprimtaria pa autorizim duhet të suspendohet, kushdo qofshin ata. Nëse ka elemente të veprës penale, çështja duhet t'i kalojë prokurorisë. Kontrollet nuk duhet të ndalen te qumështi. Të tilla kontrolle duhet të bëhen edhe në sektorët e tjerë, sepse asnjë qytetar nuk duhet të hamendësojë se çka ka në gotën apo në pjatën e vet”, ka deklaruar Haxhiu.
KOHA ka dërguar pyetje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, nëse do të publikohet e plotë lista e produkteve jashtë standardit dhe nëse ato do të tërhiqen nga tregu, por të mërkurën nuk ka marrë përgjigje.
Edhe
Haxhiu për gjetjet e AUV-së: Tash është radha e pasojave
E kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se konsumatorët duhet të jenë të informuar për gjithçka që konsumojnë.
“Ne duhet të dimë se çfarë hamë, me çka ushqehemi, pra Qeveria dhe Ministria po të donte të bënte si duhej të bëhej, i ka pasur informatat nga dora e parë nga dogana dhe tutje me zinxhirin komandues shtetëror d.m.th. problemi ka ekzistuar, problem edhe sot ekziston, por ne nuk kemi mbikëqyrje të duhur mekanizmash të mbikëqyrjes së tregut dhe çka është mungesa më e madhe askush nuk e merr qytetarin konsumator për seriozisht, nuk e merr për kontroll, për inspektime”, ka thënë Kaçaniku.
Sipas tij, organizata “Konsumatori” ka ngritur shqetësime për këto probleme edhe më herët, por siç ka thënë, nuk janë marrë seriozisht nga institucionet.
“Organizata ‘Konsumatori’ ka paralajmëruar kohë më parë, dekada më parë për ekzistimin e këtyre dy problemeve, por asnjë legjislaturë qeveritare nuk e ka përkrahur dhe nuk e ka dëgjuar dhe në ankesat tona nuk është ankuar asnjë Prokurori dhe ky rast tani si përnjëherë, si me nguti evuloi. Këtë e kam cilësuar si show medial. Dikush, dikujt i është nevojitur një show medial, një popullzim etj, sepse dikush mbi kurrizin tonë dhe mbi xhepin tonë gjen fushë për t’i matë forcat.”
Të martën, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka publikuar rezultatet e mostrave që janë marrë në periudhën prill-korrik, gjatë aksionit të zgjeruar të kontrolleve në sektorin e qumështit.
Edhe
Përfaqësues të industrisë së qumështit kundër masave të institucioneve
Sipas AUV-it, në 495 mostra janë analizuar parametrat e ndryshëm të autenticitetit dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtes dhe qumështit pluhur.
Nga gjithsej 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë të bëjnë praninë e vajit të palmës, e që nuk është i deklaruar si përbërës në ambalazh.