Shoqata e Prodhuesve të Kosovës dhe Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës në një konferencë të përbashkët për media të martën theksuan se është e padrejtë ajo se çfarë po ndodh me prodhuesit vendorë. Derisa Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje që produktet vendor të mbështeten e jo të prishet imazhi i tyre.
Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës ka thënë se gjatë kohëve të fundit është duke u rrënuar prodhimi vendor me sjelljet e fundit të institucioneve të vendit, veçanërisht nga Ministria e Bujqësisë.
“Ajo se cka po ndodh me sektorin e qumështit, nesër ka me ndodh edhe me industri të tjera. Nëse po vazhdohet me sistemin e tillë se si po sillen institucionet e vendit me prodhuesit vendor, duke pasur parasysh që ne kemi rritur vetëm vlerën e këtij vendi. Ne vazhdimisht e kemi gojën plot prodhim vendor, ne jemi duke e rrënuar sot prodhimin vendor me sjelljet e fundit...Është e padrejtë ajo se cfarë po ndodh realisht”, ka thënë Ajvazi, raporton KosovaPress.
Ai tha se nuk janë kundër kontrolleve të shtetit dhe sipas tij, ato duhet të vazhdojnë.
“Nuk jemi kundër kontrolleve të shtetit, përkundrazi kontrollet kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë gjithmonë dhe duhet të vazhdojnë. Ajo se çfarë po flitet është sikur gjithçka ka filluar sot, ne si vend kemi prodhuar. Këto produkte tona, nëse shteti do t’i kryente detyrat e veta, sot do të ishin raftat e rrjetit zinxhiror ndoshta edhe në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Edhe
Muja ekspozon disa lloje tjera të qumështit ku është gjetur vaj palme
Kurse, kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës, Gani Durmishaj, tha se kanë kërkuar disa herë takime me zyrtarë të AUV-it, por të njëjtit nuk janë përgjigjur, përveç vendimeve që ua kanë treguar për ndalim të prodhimit.
“Kemi kërkuar disa herë takime me ta, nuk janë përgjigjur përveç vendimeve që na kanë treguar për ndalim të prodhimit dhe tërheqje të mallit. ne jemi duke analizuar që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve duhet me i përjashtu nga puna në sasi bukur të madhe të qumështit duhet ndërprerë. Ku me i shitë pastaj kur ia ndërpremë. Ne kemi kërkuar edhe nga ministritë përkatëse të bëjnë mikroanalizat biologjike. Nëse janë të njëjta të gjitha edhe vajrat yndyrorë me këto që importohen pse të na ndërprerjen veç neve. Ne kërkojmë vetëm barazi. Me çdo kusht po mundohen me na shkatërrua”,
Ndërsa, përfaqësuesi i Qumështores “Vita”, Artan Spahija i ka reaguar ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke thënë se një lloj i qumështit, i prezantuar nga ky në konferencë se gjoja është e “Vitës”, ka thënë se ai produkt importohet nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
“Kjo nuk është e jona thotë që ka gjetur vaj palme që nuk qëndron kështu. Këta vetëm e bëjmë eksport. Ky importohet nga Maqedonia në Kosovë. I kam analizat dhe shumë shpejt e bëj dhe ata publike. E konfirmoj atë që e ka qitë është nga Mali i Zi”, theksoi Spahia.
Dje, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, e ka pranuar se në qumështin “Vita” nuk është gjetur vaj palme. Në një konferencë për media, ai ka ekspozuar 26 lloje të qumështit të kompanisë “Abrazen”, në të cilat është gjetur vaj palme. Por, mes tyre nuk ka qenë qumështi dhe jogurti “Vita”, të cilat janë njësi të veçanta të kompanisë “Abrazen”.
E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kritikuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, të cilat sipas tij po prishin imazhin e prodhimeve vendore të qumështit.
Në një konferencë për media, Rafuna tha se vendi është mbytur nga importi.
Ai kërkon me urgjencë që të mos merren veprime që prishin imazhin dhe krijojnë panik te konsumatorët.
Edhe
Muja: Qumështorja “Vita” importuesja më e madhe e vajit të palmës e qumështit pluhur
“Është një situatë e padrejtë që po trajtohen prodhimet tona për shkak se ky është një zinxhir i tërë që i përfshin. Ne gjithmonë kemi kërkuar që të mbështeten edhe ashtu kemi pak prodhime që prodhohen në Kosovë dhe na ka mbytur importi. Nëse i krahasojmë me vitet e mëparshme nga viti 2022 mbi 1 miliardë është rritur importi, ndërsa eksporti ka mbetur në vlera të njëjta. Deficiti tregtar nga 18.6 për qind në 2022 është tkurrur në 14.4 për qind. Kërkojmë me urgjencë nga institucionet e vendit, nga AVUK-u por edhe nga ministria e bujqësisë që të mos marrin veprime që prishin imazhin dhe panik te konsumatorët”, tha Rafuna.
Ai tha se prodhimet vendore janë segment i rëndësishëm ekonomik, duke premtuar se janë prodhime me standardet më të larta. /KosovaPress