Qumështorja “Vita” në një publikim në Facebook ka prezantuar disa analiza, të cilat ka thënë se i ka marrë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e që sipas prezantimit qumështi i kësaj kompanie është i pastër.
Ditë më parë, AUV-ja dhe Ministria e Bujqësisë prezantuan gjetje nga një inspektim në nivel vendi. Sipas gjetjeve, qumështi i kësaj kompanie rezultoi me vaj palme të padeklaruar.
Megjithatë, kompania ka mohuar duke prezantuar ato që i ka paraqitur si rezultate zyrtare.
“Pas 36 ditësh, Qumështorja Vita i merr zyrtarisht rezultatet e analizave nga AUV’i. Sipas këtyre analizave del që qumështi Vita është i pastër me 100% qumësht. Nuk ka as pluhur, e as vaj palme (vajra bimore)”, thuhet në reagim.
Në një konferencë për media ditë më parë, autoritetet thanë se shumë produkte për të cilat kompanitë kanë deklaruar se përmbajnë qumësht të freskët, kanë rezultuar se kanë edhe përbërës të tjerë, si vaj palme, apo qumësht pluhur. Përbërës të tillë janë konstatuar në 93 mostra prej 495 sosh që gjatë një aksioni i ka marrë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Këtu u përfshi edhe “Vita”.
AUV: Ndaj Qumështores “Vita” kemi marrë masa konkrete, urdhërohet tërheqja e 12 produkteve
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në një përgjigje për Qumështoren “Vita” ka thënë se ndaj saj ka marrë masa konkrete.
Të premten, kjo qumështore publikoi disa analiza që theksojnë se në qumështin e saj nuk është gjetur vaj palme ose qumësht pluhur, siç u tha në konferencën për media të AUV-së dhe Ministrisë së Bujqësisë ditë më parë. Ministria e Industrisë njoftoi të premten se ka tërhequr disa produkte nga tregu, por jo të kësaj qumështoreje. E në mbrëmje, AUV-ja tek ka lajmëruar për “masa konkrete ndaj Qumështores ‘Vita’” ka shkruar se është urdhëruar tërheqja nga tregu për 12 produkte.
“Në tërësi, 12 produkte të paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore janë konstatuar jokonforme, për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar. Për këto produkte është urdhëruar tërheqja nga tregu. Gjetja më serioze lidhet me qumështin. Katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme: dy me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin. Këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit. Nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur. Ky produkt nuk është cilësuar jokonform. Megjithatë, për shkak se prodhohet në të njëjtin objekt dhe në linjën e prodhimit të qumështit ku janë konstatuar mospërputhjet, është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm”, thuhet në reagim. “Veçmas, kontrolli ka konstatuar 26 produkte me përmbajtje bimore të prodhuara jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit. Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV. Raporti evidenton aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm”.
Masat e ndërmarra sipas AUV-së ndaj “Vitës” janë tërheqja e këtyre produkteve, mbikëqyrja e shtuar dhe ritestimi i vazhdueshëm i linjës së qumështit. Po ashtu ndalimi i prodhimit të 26 produkteve jashtë aprovimit, ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve dhe ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërpuithjeve.