Inspektorja që i shqiptoi vërejtje me shkrim “Spitalit Amerikan II” afër Prishtinës për shkëmbim të fëmijëve të porsalindur ka përfunduar në Komision Disiplinor, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Në një përgjigje për KOHËN, MSH-ja ka bërë të ditur se Inspektorati Shëndetësor ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna, në një rast më 18 mars 2026.
E inspektorja e rastit, sipas raportimeve, ndaj spitalit pati shqiptuar “vërejtje me shkrim”, duke cituar nenet për shkelje të kodit të etikës mjekësore dhe shkeljen e normave të sigurisë teknike dhe mjekësore. Po ashtu, gjatë kontrolleve qe konstatuar se infermierja nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit.
Për të gjitha këto, MSH-ja ka njoftuar se janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor duke e referuar në Komision Disiplinor inspektoren, vërejtje me shkrim zyrtarit të arkivit dhe vërejtje me gojë përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor.
“Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna. Nga kontrolli i dokumentëve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA). Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor. Për këtë, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa: Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar; Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim; Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhe të Inspektoratit Shëndetësor.
Ministria ka shprehur keqardhje për shqetësimin e familjes, teksa ka shtuar se institucionet do të monitorojnë zbatimin e masave dhe rekomandimeve.
E se vërejtja me shkrim nuk është masa adekuate, ka vlerësuar edhe ministri Arben Vitia. Në një deklaratë për media të martën ai ka thënë se kur identifikohen shkeljet, e rëndësishme është të “merren masat adekuate, konform legjislacionit në fuqi”.
Ai është zotuar po ashtu se “nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion”.
E siç shkruar gazetarja dhe njohësja e çështjeve të shëndetësisë, Saranda Ramaj, për rastin parashihen masa tekniko-administrative.
“Ligji për Shëndetësi parasheh masa për shkeljen e normave të sigurisë mjekësore, ndërsa Ligji për të Drejtat e Pacientëve parasheh gjoba për kundërvajtje të caktuara që cenojnë të drejtat e tyre. Edhe shkeljet që lidhen me licencimin trajtohen veçmas me ligj. Prandaj, Inspektorati duhet të shpjegojë qysh e paska vlerësu juridikisht dorëzimin e foshnjës së gabuar, moszbatimin e procedurave të identifikimit dhe rrezikimin e sigurisë së të porsalindurve. A ka shqyrtuar cenimin e të drejtave të pacientëve? A ka kërkuar masa konkrete për korrigjimin e procedurave? A e ka verifikuar zbatimin e tyre?” ka shkruar ajo në Facebook.
Nga spitali në fjalë nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e KOHËS e as nuk ka pasur reagim zyrtar publik.
Sipas raportimeve, më 18 mars, disa orë pas lindjes nënës i ishte dorëzuar foshnje tjetër. Vetëm pas insistimit të saj është konstatuar se ka pasur shkëmbim dhe se foshnja nuk ka qenë i saj.