Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria: Dhënia e “Tulltores” për shfrytëzim, në kundërshtim me ligjin

Tulltorja

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka vlerësuar në kundërshtim me ligjin, dhënien e kompleksit “Tulltorja” nga Komuna e Prishtinës te një kompani private, për shfrytëzim 50-vjeçar.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se ajo shkel rregulloren për përcaktim të procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës.

Aty është konsideruar se shkelet neni që parasheh se kryetari i Komunës ka të drejtë të shfrytëzojë negocimin kur vlera e investimit është së paku 10 për qind e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale të komunës të vitit paraprak, por jo më shumë se vlera minimale e përcaktuar me Ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, sipas sektorëve të ndryshëm.

E dhënia për qendër ekonomike kulturore dhe afariste, sipas Ministrisë nuk hyn në sektorët që i parasheh kjo rregullore për mundësinë e negocimit.

Po ashtu, aty është thënë se sipas certifikatës së pronësisë, lokacioni nuk është në listën e veçantë të pronave të paluajtshme komunale për 2026.

Edhe Komuna ia jep privatit “Tulltoren” të cilën e bleu 5 milionë euro Arbëri Komuna ia jep privatit “Tulltoren” të cilën e bleu 5 milionë euro

Në vendim është bërë thirrje që Kuvendi Komunal të ndërmarrë veprime dhe ta rishqyrtojë e harmonizojë aktin brenda 30 ditësh me legjislacionin në fuqi.

Më 11 shtator Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar dhënien në shfrytëzim 50-vjeçar të kompleksit “Tulltorja” te kompania “BGC SH.P.K.”. Vendimi është përcjellë me tensione e protestë me pranga në duar nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tulltorja ka qenë në menaxhim të AKP-së dhe për të është bërë “luftë” mes kryetarit të dikurshëm të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili planifikonte muze të gjenocidit dhe kryetarit të atëhershëm, Shpend Ahmeti.

Ahmeti pati fituar dhe komuna e pati blerë për 5 milionë euro hapësirën në të cilën parashihte qendër rekreative për të rinj.

Ish-kryetari Shpend Ahmeti ka shkruar në rrjetet sociale se privatizimi i saj është ndalur, duke e shpallur zonë të interesit publik.

“Tulltorja ka qenë ndërmarrje shoqërore e menaxhuar nga AKP-ja. Privatizimi i saj është ndalur, duke e shpallur zonë të interesit publik. Në vitin 2020, Komuna e ka blerë këtë pronë nga AKP-ja për 5 milionë euro (20 për qind e vlerës prej 25 milionë) si kompensim për punëtorët”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sipas marrëveshjes me komunën, vlera e investimit parashihet që në fazën e parë 5-vjeçare, të jetë deri në 10 milionë euro, ndërsa në fazën e dytë dhe të tretë thuhet se mund të arrijë deri në 20 milionë euro.

Edhe Përkundër kundërshtimeve miratohet propozimi për dhënien në shfrytëzim të “Tulltores” Arbëri Përkundër kundërshtimeve miratohet propozimi për dhënien në shfrytëzim të “Tulltores”

Në marrëveshje thuhet se hapësira do të shfrytëzohet për veprimtari afariste, kulturore, administrative, shërbime, gastronomi, aktivitete kreative dhe ekonomike.

Po ashtu theksohet se përdorimi rezidencial (banimi) është i ndaluar, ndërsa elementet e trashëgimisë industriale obligohen të ruhen.