Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ministria e Kulturë e bën monument ish-Tulltoren pasi Komuna e dha në shfrytëzim

Ish-Tulltorja në Prishtinë

Ish-Tulltorja në Prishtinë ndër vite është përdorur edhe për ndërhyrje artistike. E në shtator të këtij viti është dhënë në shfrytëzim për një kompani private

Krejt ndërhyrjet që planifikohet të bëhen në ish-Tulltoren e Prishtinës duhet t’i nënshtrohen procedurave që kërkojnë institucionet e trashëgimisë kulturore. Kjo do të ndodhë për shkak se Ministria e Kulturës e ka bërë atë aset të trashëgimisë kulturore, nën emrin Kompleksi industrial i Tulltores së Prishtinës. Vendimi është marrë më tetë të këtij muaji, pa u bërë një muaj prej kur Komuna e dha në shfrytëzim atë hapësirë. Bashkë me 12 asete të tjera, ish-Tulltorja është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Për ata që merren me trashëgiminë kulturore, ky vendim kundërmon pak edhe si politik

Implementimi i projektit, në emër të të cilit Komuna e Prishtinës ka dhënë në shfrytëzim kompleksin e ish-Tulltores, tashmë duhet të kalojë edhe nëpër një tjetër filtër: Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Kjo do të ndodhë për shkak se Ministria e Kulturës e ka bërë atë aset të trashëgimisë kulturore, nën emrin Kompleksi industrial i Tulltores së Prishtinës. Vendimi është marrë më tetë të këtij muaji, pa u bërë një muaj prej kur Komuna e dha në shfrytëzim atë hapësirë. Bashkë me 12 asete të tjera, ish-Tulltorja është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Për ata që merren me trashëgiminë kulturore, ky vendim kundërmon pak edhe si politik.

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ia ka zgjatur afatin ligjor Listës së përkohshme të trashëgimisë kulturore edhe për një vit, siç ndodh në çdo fillimtetor. Ajo i ka shtuar edhe 13 asete të reja, duke e çuar në 1.699 numrin e përgjithshëm të aseteve nga të gjitha kategoritë. Vendimi është marrë pas rekomandimit të Komisionit Profesional Shqyrtues të kërkesave dhe propozimeve për përfshirjen në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme të aseteve apo përmbajtjeve me forma të shprehjes kulturore, të cilat mund të jenë pjesë përbërëse ose potenciale të trashëgimisë kulturore.

Gjyteti i Gjyrgjedellit, Kaçanik, Nekropoli tumular i Gorancës, Kalaja e Dafinës, Zocishtë, dy pritoret e autobusëve në Prishtinë, Kulla e Asllanit, Tërdec, Kompleksi industrial i Tulltores së Prishtinës, si dhe Kompleksi historik – Xhamia, Ura e Ibrit dhe Mulliri i Qytetit, në Mitrovicën e Veriut, janë midis aseteve të reja. Kësaj liste i shtohen edhe Shtëpia Muze e Latif Berishës, Varret e Teqesë së Sheh Kadri Efendiut, Kulla e Arif (Avdi) Latifajt, Lipë, Kompleksi i banimit i familjes Hoti, Carallukë, Kompleksi i familjes Çollaku, Zym, Shtëpia në fshatin Greiqec dhe Shtëpia e familjes Matusha, në Prizren.
KOHA, të hënën, nëpërmjet postës elektronike, i ka kërkuar Ministrisë së Kulturës përgjigje se me iniciativë të kujt ka nisur shqyrtimi për përfshirjen në Listë të Kompleksit industrial të Tulltores së Prishtinës, përse kjo iniciativë ka ardhur pasi Komuna e ka dhënë në shfrytëzim këtë aset dhe cili është arsyetimi për përfshirjen e tij në Listë. Por Ministria nuk është përgjigjur. Disa orë pas pyetjeve të KOHËS, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka lëshuar një njoftim në rrjetet sociale. Ajo ka përmendur asetet e përfshira në Listë.

“Nga lokalitetet arkeologjike dhe kalatë, te kullat, shtëpitë historike dhe komplekset industriale e familjare, lista përfshin asete që dëshmojnë periudha të ndryshme historike dhe mënyra të jetesës në pjesë të ndryshme të vendit”, shkruhet në njoftim. Sipas njoftimit, ky proces vazhdon me identifikimin dhe vlerësimin e aseteve që bartin vlera historike e kulturore, me synimin që ato të përfshihen në mekanizmat përkatës të mbrojtjes.

KOHA, të hënën, i ka drejtuar pyetje edhe Komunës së Prishtinës. As institucioni lokal nuk është përgjigjur.

Shteti aktualisht, pos Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ka edhe Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, në të cilën numërohen 96 asete. Përfshirjen e ish-Tulltores në Listë nuk e kanë komentuar shumë personalitete që merren me trashëgiminë kulturore, me arsyetimin se nuk kanë shumë informacione për rastin.

Historiani Enver Rexha, ish-drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se vlerat e ish-Tulltores lidhen me zhvillimin industrial të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore.

“Siç kam dëgjuar unë, ato objekte me projektin e ri nuk do të preken. Kjo nuk është hera e parë që institucionet tona marrin masa pasi të miratohen projektet. Ka pasur raste të tilla edhe në qytete të tjera. Sikur të kishte një kod moral e institucional te institucionet e trashëgimisë kulturore, në momentet e fundit nuk perceptohet mirë përfshirja në mbrojtje e një aseti, pasi del se po bëhet politikë. Në trashëgiminë kulturore nuk duhet të përzihet politika me profesionalizmin. Po manipulohen institucionet e trashëgimisë kulturore, gjë që nuk është e shëndoshë”, ka thënë ai. Sipas Rexhës, kur një aset merret nën mbrojtje, veprimi duhet të arsyetohet mirë.

“Këto raste, sikurse ky, ndodhin në vende që janë në zhvillim e sipër, siç janë vendet ballkanike”, ka thënë ai.

Alameti i zhurmës që u bë në fillim të shtatorit lidhej me vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të ish-Tulltores për 50 vjet një kompanie private. Vendimi ishte marrë pasi kryetari Përparim Rama kishte negociuar kontratën.

Vendimi ishte kundërshtuar nga opozita në qeverisjen lokale, përkatësisht nga asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata e kanë akuzuar Ramën për dakordim dhe përfundim të shpejtë të procedurave për dhënien në shfrytëzim të 4,5 hektarëve tokë një operatori privat.

“Problemi i parë me kontratën të cilën na ka ofruar është mënyra, lehtësia se si kjo qeverisje, se si ‘Përparim Legalizimi’ e trajton pronën publike. Oferta e investitorit privat është negociuar, është dakorduar, janë marrë vesh, kushtet të gjitha, në fund të gushtit dhe është nënshkruar aty për aty. Merreni me mend, për dhjetë ditë i ka kryer të gjitha këto punë Përparimi”, kishte thënë asambleisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla. Por kryetari Rama kishte thënë se toka do të jepej në shfrytëzim në mënyrë që kryeqyteti të përfitonte 1 milion euro gjatë vitit.

“Toka nuk falet, toka mbetet pronë e kryeqytetit, jepet në shfrytëzim, për t’u zhvilluar dhe për këtë shfrytëzim kryeqyteti përfiton 1 milion euro në vit, për 50 vjet mbi 50 milionë. Gjatë periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të mbetet i kryeqytetit. Prandaj mos e dezinformoni qytetarin, sepse toka nuk po falet”, kishte thënë Rama.

Tulltorja ka qenë nën menaxhimin e AKP-së dhe është bërë pronë komunale pasi Komuna ka paguar 5 milionë euro për të. Më pas, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte ndërmarrë një iniciativë që aty të zinte vend Muzeu i Gjenocidit.

Në fund të muajit të kaluar, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka vlerësuar në kundërshtim me ligjin dhënien e kompleksit “Tulltorja” nga Komuna e Prishtinës. Në vendim thuhet se ajo shkel rregulloren për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës. Aty është konsideruar se shkelet neni që parasheh se kryetari i Komunës ka të drejtë të përdorë negocimin kur vlera e investimit është së paku 10 për qind e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale të komunës në vitin paraprak, por jo më shumë se vlera minimale e përcaktuar me Ligjin për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, sipas sektorëve të ndryshëm. Dhënia e pronës për qendër ekonomike, kulturore dhe afariste, sipas Ministrisë, nuk hyn në sektorët që i parasheh kjo rregullore për mundësinë e negocimit. Po ashtu, aty është thënë se, sipas certifikatës së pronësisë, lokacioni nuk është në listën e veçantë të pronave të paluajtshme komunale për vitin 2026. Në vendim është bërë thirrje që Kuvendi Komunal të ndërmarrë veprime dhe ta rishqyrtojë e harmonizojë aktin brenda 30 ditësh me legjislacionin në fuqi. Kryetari Përparim Rama, si zakonisht, i është përgjigjur kësaj çështjeje në “Facebook”, duke publikuar një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilin, në një rast tjetër, kjo gjykatë i kishte dhënë të drejtë Komunës dhe jo Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Tash, njëjtë po e kundërshtojnë Tulltoren. Ta bëjmë një gjë të qartë, procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin. Ashtu si në rastin e Universitetit, do të dëshmohet edhe ligjshmëria e vendimit për Tulltoren. Ndërsa qëllimet tuaja do të demaskohen sërish para qytetarëve se si e përdorni pushtetin për të bllokuar çdo zhvillim”, ka shkruar ai.