Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka reaguar pasi është aprovuar paga e 13-të për punëtorët e sektorit publikë.
Sindikata ka thënë se po bëhet padrejtësi sistematike dhe se minatori është lënë jashtë çdo llogarie.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTë martën punëtorëve të sektorit publikë u ekzekutua paga e 13-të, një ditë pasi Qeveria mori vendimin për ta miratuar pagën e 13-të për këtë sektor.
“Kjo nuk është më çështje pagash. Kjo është padrejtësi sistematike. Deputetët dhe ministrat kujdesen me përpikëri për veten. Çdo vit rritje page. Pagë e 13-të. Vendime të shpejta kur është fjala për privilegjet e tyre. Shteti funksionon perfekt vetëm kur duhet të shpërblejë pushtetin. Ndërsa minatori është lënë jashtë çdo llogarie. Që nga viti 2016 pa asnjë rritje page. As pagë të 13-të. As trajtim të dinjitetshëm. Vetëm heshtje dhe harresë. Minatori zbret çdo ditë në nëntokë, aty ku rreziku është real, ku shëndeti shkatërrohet ngadalë, ku çdo ditë pune paguhet me jetë. Ndërkohë, mbi tokë, çmimet rriten, jeta shtrenjtohet, dhe askush nuk pyet për të”, thuhet në reagim.
Sindikata ka thënë se minatorëve nuk po u paguhet as trusti pensional dhe se kur po kërkohet drejtësi, nuk po gjen mbështetje.
“As trusti pensional nuk i paguhet. Dhe kur kërkon drejtësi, kur përballet me institucionet, ai nuk gjen mbështetje. Edhe gjykata i kthen shpinën. Padrejtësia vuloset me vendim. Minatori del në pension i lodhur, i sëmurë, i dërrmuar nga puna e rëndë. Dhe në vend që të gjejë mbështetje, ai përballet me një tjetër padrejtësi: nuk mund t’i marrë as kursimet e veta kur i duhen më së shumti. Ky është turp shtetëror. Kjo është përbuzje e hapur ndaj punës, ndaj sakrificës, ndaj jetës së minatorit. Një shtet që shpërblen luksin e pushtetit dhe ndëshkon punën e ndershme nuk është i drejtë. Minatori sot nuk kërkon lëmoshë. Kërkon atë që i takon. Kërkon dinjitet. Kërkon drejtësi. Dhe ndërkohë që të gjithë të tjerët marrin pagën e 13-të, minatori vazhdon të presë. Jo sepse nuk e meriton, por sepse është lënë në harresë. Mjaft më”, thuhet në reagim.
Sindikata e Minatorëve të “Trepçës” ka bërë thirrje të shihen mundësitë e stimulimit të minatorëve, përndryshe ka paralajmëruar veprim.
“Kjo heshtje nuk është më durim. Është padrejtësi që po zgjat shumë. U bëjmë thirrje Ministrisë, Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të njësisë biznesore që, pas një viti sakrifice, djersë dhe pune pa kushte, me vetëmohim të plotë, të shikojnë mundësinë e stimulimit para se ne të veprojmë. Durimi po soset”, ka shkruar Sindikata.