Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani “ndoshta sot ndihen krenarë me këtë të arritur strategjike, në dëm të interesave të Republikës së Kosovës”.
Ai akuzoi dy liderët shtetërorë se, në emër të patriotizmit patetik dhe për interesa personale e financiare, “po e çojnë Kosovën drejt masave ndëshkuese nga aleati kryesor ndërkombëtar”.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në emër të politikave dhe deklaratave kundër Gjykatës Kushtetuese, mediave dhe secilit që ka mendim kritik në këtë vend, sot arritën të venë Kosovën edhe nën masa ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A kanë kufi këta politikanë që po e dërgojnë Kosovën drejt e në humnerë? Për çka? Për pushtet! Për kontroll. Për interesa personale dhe financiare për grupin e tyre të interesit”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
