Ambasada e SHBA-së në Kosovës ka njoftuar se ka pezulluar dialogun strategjik më Kosovën, për shkak të deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ky njoftim ka nxitur reagime të politikanëve që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë e përfaqësuesve të shoqërisë civile. Ata për këtë pezullim e kanë akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Të gjitha reagimet mund t’i lexoni këtu.

Haradinaj: Kosova po kalon ditët më të errëta të historisë

29 min. më parë / 12 sht 2025 16:19
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova po kalon ditët më të errëta të historisë, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullim të dialogut strategjik.

Haradinaj ka thënë se prej kohësh ka paralajmëruar për sjelljen e papërgjegjshme dhe destruktive të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

“Kosova po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet. Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, ka shkruar ai.

Kryetari i AAK-së në fund pati thirrje për partitë dhe shoqërinë kosovare.

“I ftoj të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”, ka shkruar tutje Haradinaj.

OEK: Pezullimi i dialogut strategjik, hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Kosovës

35 min. më parë / 12 sht 2025 16:13
Oda Amerikane

Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Ambasadës së SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.

Sipas Odës, pezullimi i kësaj nisme strategjike përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të vendit, dhe është thelbësore që Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasjen e saj dhe të angazhohet në koordinim më të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Oda Ekonomike Amerikane mbetet e përkushtuar për avancimin e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe jopolitikë të veprojnë me përgjegjësi dhe urgjencë për të rikthyer besimin dhe dialogun”, thuhet në deklaratën e Odës.

Sipas organizatës, vetëm përmes bashkëpunimit konstruktiv me aleatët më të besueshëm, Kosova mund të garantojë stabilitet, të debllokojë mundësitë ekonomike dhe të sigurojë mirëqenie afatgjatë për qytetarët.

GLPS: Pezullimi i dialogut strategjik, rrezik për sigurinë e Kosovës

42 min. më parë / 12 sht 2025 16:06
GLPS

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e ka cilësuar rrezik për sigurinë dhe mirëqenien afatgjate të Kosovës, vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik të planifikuar mes dy shteteve.

“Pezullimi i këtij dialogu strategjik ende pa filluar përbën një goditje të rëndë, të panevojshme dhe plotësisht të evitueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve. Duke e pasur parasysh rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të ShBA-së në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit tonë, ky njoftim përbën rrezik për sigurinë dhe mirëqenien afatgjate të Republikës së Kosovës. Situata rëndohet edhe më tepër duke marrë parasysh destablitetin gjeopolitik që mbretëron në Evropë dhe sidomos në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagim të GLPS-së të premten.

Kjo organizatë ka thënë se fillimi i dialogut strategjik do të shënonte hap të rëndësishëm dhe do të shtronte rrugën drejt marrëveshjes, si një nga format më të larta të bashkëpunimit mes Amerikës dhe një vendi tjetër.

“Në kohën kur do të duhej të diskutonim se si të zihej hapi me vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për arritjen e partneriteti strategjik me ShBA-të, fatkeqësisht po përballemi me distancim të saj nga procesi i konsolidimit të shtetësisë së Kosovës”, thuhet në reagim të GLPS-së.

GLPS-ja i ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë që “që t’i ndalë të gjitha veprimet dhe retorikën nxitëse që mund të shkaktojë dëme të mëtutjeshme”.

Më herët të premten, Ambasada Amerikane në Kosovë njoftoi se e ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën “për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e Qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

Peci: Pezullimi i dialogut strategjik, pasojë e politikës së papërgjegjshme të Kurtit

1 o. më parë / 12 sht 2025 15:29
Lulzim Peci

Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, ka reaguar pas vendimit të SHBA-ve për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar atë si një masë të pritshme pas “politikës së papërgjegjshme” të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me të cilën, sipas tij, po vallëzon edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Ka mbetur të shihet se çfarë do të bëjnë kaloresit e apokalipsit të shtetit të Kosovës, të cilët në mënyrë efektive arritën që t’i dëmtojnë marrëdhëniet e vendit tonë me SHBA-të! Tash mbani ligjërata, shani e njollosni se kush po punon për Serbinë!”, ka shkruar Peci në Facebook.

PDK-ja fton partitë properëndimore t’i japin Kosovës një “qeveri të përgjegjshme”

1 o. më parë / 12 sht 2025 15:23
memli krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës me anë të një deklarate ka njoftuar se e ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat dialogun strategjik me Kosovën, një proces i cili siç, thuhet në deklaratë ishte menduar të forconte marrëdhëniet ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.

Në deklaratë thuhet se “ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.

“Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, SHBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se të gjitha forcat politike properëndimore duhet të bashkohen dhe “t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme”.

“Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës.

Sipas PDK-së pezullimi i dialogur strategjik është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vjetët e lirisë, siç thuhet, “duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”.

“Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik. Partia Demokratike e Kosovës rithekson se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë”, thuhet në deklaratë.

Sipas PDK-së “ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë”. 

“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë”, thuhet në reagim.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.

Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në qëllimin e përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e përbashkët ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Tahiri: Kurti i shkaktoi Kosovës plagën më të madhe që dikush ka mundur ta paramendojë

1 o. më parë / 12 sht 2025 15:02
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Foto: Arkiv

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi që Ambasada e SHBA-së në Kosovës ka njoftuar se ka pezulluar dialogun strategjik më Kosovën, për shkak të deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. 

Tahiri ka thënë se ky është dëm me përmasa të mëdha për Kosovën.

Ai ka thënë se Kurti i shkaktoi plagën më të madhe Kosovës. 

“Deri sot, veprimi që e ka goditur më së shumti Republikën e Kosovës kanë qenë sanksionet e BE-së, të cilat na kanë pamundësuar shfrytëzimin e 600 milionë eurove. Por vendimi i Qeverisë Amerikane për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën e tejkalon përmasën e atij dëmi. Sot, Albin Kurti i shkaktoi Kosovës plagën më të madhe që dikush ka mundur ta paramendojë.

“Është e qartë: problemi i Kosovës ka emër dhe mbiemër – Albin Kurti. Si PDK, e kemi të qartë përgjegjësinë tonë. Do të angazhohemi që vendit t’i japim një qeveri që do ta nxjerrë nga kjo krizë”, ka shkruar tutje Tahiri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.

Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në qëllimin e përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e përbashkët ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Qeveria: I mirëpresim kritikat nga SHBA-ja, kur janë konkrete përpiqemi t'i korrigjojmë veprimet

1 o. më parë / 12 sht 2025 15:02
Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës (Foto: Alban Bujari)

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme dhe se Kosova është partneri më serioz i saj për stabilitet dhe paqe në rajon.

Në një shkrim të gjatë në Facebook, Kryeziu ka thënë se qeveria ka përmbushur mandatin e plotë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, duke kontribuar në stabilitet institucional dhe zhvillim socio-ekonomik, përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë. Ai shtoi se veprimet e ekzekutivit kanë qenë gjithmonë të ligjshme dhe kushtetuese, duke synuar eliminimin e vatrave të destabilitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, veçanërisht në veri.

Kryeziu theksoi se Kosova ka depolitizuar integrimin e komunitetit serb, duke i mbrojtur qytetarët nga strukturat ilegale të Serbisë dhe duke ofruar masa konkrete si punësimi dhe verifikimi i diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Sa i përket kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese, ai ka thënë se qëndrimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka qenë i qartë, duke e akuzuar Gjykatën për vonesa në vendimmarrje dhe për cenimin e karakterit demokratik të Republikës.

Në fund, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë u shpreh mirënjohës për kontributin e SHBA-së ndaj Kosovës

“I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete, përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Reagimi i plotë:

“Qeveria jonë ka qenë e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë. Kjo i ka kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër gjitha sfidave globale që kemi përjetuar nga viti 2021 e tutje, përfshirë këtu pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Ne e kemi depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë për integrim nuk ka munguar asnjëherë. Por ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Asnjëherë nuk i kemi barazuar qytetarët serb në Kosovë me strukturat ilegale e paralele të Serbisë në Kosovë. Përkundrazi, ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë bashkëqytetarët tanë serb nga po këto struktura që për shumë gjatë janë përdorur si mekanizma dhe instrumente frikësimi, kërcënimi e kontrolli. Në të njëjtën kohë, duke i zëvendësuar ato me institucionet të Republikës së Kosovës jemi siguruar që nuk ka vakuum të shërbimeve. Gjithashtu jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit, siç është rasti me masën për punësim për banorët e katër komunave në veri të vendit dhe verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e punësimit të bashkëqytetarëve nga radhët e komunitetit serb, krahas masave të tjera e të shumta sociale nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën qe 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj.

Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”

Abdixhiku: Koha të bëhemi bashkë, t’i japim fund kësaj çmendurie politike

2 o. më parë / 12 sht 2025 14:34
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si momentin më të rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka akuzuar qeverinë në detyrë se ka ndërtuar rrugëtimin e saj mbi krizën dhe përçarjen, duke e quajtur “shkatërruese të shtetit” dhe “shkelëse të Kushtetutës e ligjit”.

Në reagimin e tij, kryetari i LDK-së u bëri thirrje qytetarëve për unitet, duke theksuar se është koha që të ndalet “çmenduria politike” dhe të rikthehet Kosova në rrugën euroatlantike.

“LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë. Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!”, theksoi Abdixhiku.

Miftaraj: Kurti e Osmani po e çojnë vendin drejt humnerës

2 o. më parë / 12 sht 2025 14:31
miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani “ndoshta sot ndihen krenarë me këtë të arritur strategjike, në dëm të interesave të Republikës së Kosovës”.

Ai akuzoi dy liderët shtetërorë se, në emër të patriotizmit patetik dhe për interesa personale e financiare, “po e çojnë Kosovën drejt masave ndëshkuese nga aleati kryesor ndërkombëtar”.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në emër të politikave dhe deklaratave kundër Gjykatës Kushtetuese, mediave dhe secilit që ka mendim kritik në këtë vend, sot arritën të venë Kosovën edhe nën masa ndëshkuese nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A kanë kufi këta politikanë që po e dërgojnë Kosovën drejt e në humnerë? Për çka? Për pushtet! Për kontroll. Për interesa personale dhe financiare për grupin e tyre të interesit”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Hoti: Para pesë vjetësh ishim në Shtëpinë e Bardhë, sot suspendohet dialogu strategjik

2 o. më parë / 12 sht 2025 14:29
Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pasi që Ambasada e SHBA-së në Kosovës ka njoftuar se ka pezulluar dialogun strategjik më Kosovën, për shkak të deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. 

“Shumë keq. Para pesë vitesh ishim në Shtëpinë e Bardhë. Sot suspendohet dialogu edhe për partneritet strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së. Kosova nuk e meriton këtë lidership. Krerët e Kosovës të zënë me debate e fyerje ndaj gazetarëve, bizneseve e partive politike që nuk po i ndjekin në theqafjen e shtetit”, ka shkruar Hoti. 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.

Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në qëllimin e përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e përbashkët ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, thuhet në deklaratën e ambasadës.